Një person 52-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në së paku tetë raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda.
Sipas njoftimit të Policisë, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Sektori i Hetimeve nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit pas një pune hetimore dhe operacionale ka arritur arrestimin e një personi të dyshuar për së paku 8 raste të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda në Prishtinë.”
“Puna e zyrtarëve policor ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit: B.C, mashkull, 52 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Personi i dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e përfshirjes së të dyshuarit në rastet e evidentuara të vjedhjeve në kryeqytet.
