Avokati i Popullit, Naim Qelaj, dha detaje për takimin me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Qelaj tha se në mesin e temave të diskutimit kanë qenë transparenca, gjykimi i drejtë, vazhdimi i paraburgimit, provat nga Serbia dhe të drejtat e njeriut.
I pyetur se cilat kanë qenë komentet e kryetares së Speciales lidhur me vazhdimin e paraburgimit pavarësisht se arsyet kanë pushuar, Qelaj tha se Trendafilova i ka thënë që “nuk ndërhyj në vendimet e gjyqtarëve”.
“Unë e kam pritur këtë përgjigje, kryetarja nuk përzihet në vendimmarrjen e gjykatës, konsiderohet ndërhyrje, nëse kryetarja i përzihet gjykatës, dhe gjyqtarit apo trupit gjykues. Dhe kjo ka qenë përgjigja, që nuk përzihem, është çështje e gjyqtarëve se si gjykon dhe si vepron”, tha Qelaj.
Por, çka i tha Trendafilova për shqetësimet e tjera?
“Kryetarja ka qenë e hapur, por përgjigjet kanë qenë se pretendimet nuk qëndrojnë. Ka demantuar duke thënë se Avokati i Popullit të Kosovës nuk ka kompetencë. Këta të drejtë ma jep ligji për avokatin e popullit. Duke parë në këtë prizmë, askush nuk ka të drejtë që Avokatin e Popullit ta shmang dhe kufizojë në dhënien e qëndrimeve që ai ka për tema të caktuara. Kështu që natyrisht unë edhe në të ardhmen do të vazhdoj qasjen e njëjtë, kujdesin e shtuar për funksionimin e sistemit të drejtësisë”, tha Qelaj.
Ai tha se nuk kanë biseduar konkretisht për protestën e djeshme te veteranëve, por tha se ia ka adresuar Trendafiloves kritikat për transparencën.
“Në raport me pyetjen e parë, nuk e kemi diskutuar. Është agjendë e saj, kemi folur në përgjithësi për transparencën dhe kur e kam paraqitur si shqetësim mungesën e transparencës, ajo ka thënë se Gjykata është transparente, faqja përditësohet me të dhëna të plota, por që për mua ka qenë në fakt, jo pèr transparencë, kur Gjykata prezanton atë që është e nevojshme, por lidhur me shqetësimet që po ngritën. Për mua transparenca fillon kur Gjykata më tregon shqetësimet që kam ngritur, veprimet e tjera mund të jenë vetëm formale. Transparenca kërkon daljen përtej asaj që Gjykata dëshiron të plasojë në publik, por duhet dhënë përgjigje në të gjitha dilemat”, tha ai.
Avokati i Popullit të Kosovës paralajmëroi se do të ketë një vizitë së shpejti në Hagë dhe se ka marrë zotim që kjo do të vlerësohet si zyrtare.
“Vizitën e kam pas planifikuar në prill, arsyeja pse nuk kam shkuar ka qenë fakti që nuk kam marrë përgjigje të qartë se mund t’i vizitojë të gjithë, më janë përmendur vetëm disa emra. Dhe për të ruajtur paanësinë, kam dashur t’i vizitojë të gjithë dhe cilësia që unë do ta kryejë këtë vizitë. Unë kam kuptuar vizitat zyrtare ia kanë cenuar vizitat familjare, duke u llogaritur si vizita, dhe ne kemi shkuar në kapacitet personal. Dhe unë nuk kisha dashtë në asnjë rrethanë. Unë nuk shkoj as si mik as si familjar, por vetëm si avokat i popullit, mu komunikua që mund të shkojë në cilësinë e zyrtarit publik të shtetit, dhe mbetet me pa kohën, dhe të monitorojë edhe disa seanca”, tha Qelaj.