Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Zyrës së Rregullatorit për Energji, pas njoftimit se më 30 korrik përfundon periudha e furnizimit të grasatuar me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Bajrami tha se kjo është thirrje skandaloze, duke thënë se si mund t’u bëhet thirrje bizneseve që të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji, kur vetë KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit, ende nuk i ka faturuar bizneset për muajin qershor.
“A keni ju ndonjë përgjegjësi ju për këtë? Çfarë thotë udhëzuesi juaj për faturimin? E vetmja gjë që dihet është se prej 1 qershorit, kur bizneset kanë dalë në ”treg të lirë”, importi i energjisë elektrike është rritur TETË HERË”.
“Pra, këto biznese ende nuk e dinë sa do të jenë faturat e qershorit e të korrikut, ndërkohë ju u bëni thirrje të lidhin kontrata me operatorë privatë/tregtarë të energjisë”.
“Ju nuk po merreni me realitetin e këtyre bizneseve. Ju po e injoroni faktin se fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë faktorët vendimtarë nëse këto biznese do të vazhdojnë operimin apo jo”, shkroi Bajrami.
Tutje, ajo tha se pas 1 gushtit, bizneset që nuk do të lidhin kontrata do të lihen pa rrymë, do të mbyllen nga ZRrE dhe ZRrE, sipas saj, do t’i lë mbi 100 mijë punëtorë në rrugë.
“Edhe një gjë: paskeni thënë se Gjykata ju ka dhënë të drejtë, por s’po dihet ku dhe kur, sepse në muajin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale, të cilat janë në favor të bizneseve jo në favor tuajin”.
“I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë tërë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë. Nuk mundemi me sakrifiku krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë”, tha Bajrami.