Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Suharekës, Bali Muharremaj, ka përcjellë një mesazh optimist e bashkues për qytetarët, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit.
Muharremaj u shpreh se do të vazhdojë drejt, me plot besim dhe përkushtim, duke falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen e sinqertë që, siç thekson ai, “e vëren, e sheh dhe e ndjen çdo ditë”.
“Do të vazhdoj drejt, me zemër plot besim, sepse e di që këtë rrugëtim e kemi bashkë. Qysh nesër na presin shumë takime, dhe ju falënderoj sinqerisht për mbështetjen pa dallim. Kur flet dhe ndjen populli, nuk ka pse frikësohet e nesërmja,” – ka shkruar Muharremaj.
Ai shtoi se këtë fushatë e sheh si një mundësi për të dhënë shembullin e punës, duke theksuar se bashkimi dhe përkushtimi i qytetarëve janë forca më e madhe për zhvillimin e Suharekës.
“Do ta japim një shembull. Të gjithë bashkë dhe pa dallim. Shembullin e punës,” – përfundoi ai.
