Banka Botërore e ka larguar Kosovën nga Lista e shteteve fragjile dhe në situatë konflikti.
Heqjen e Kosovës nga kjo listë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka vlerësuar si moment domethënës, që pasqyron progresin e vazhdueshëm të vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.
Ky vendim është konfirmuar përmes shkresës zyrtare të pranuar sot nga Banka Botërore, ndërsa lista e përditësuar tashmë është publikuar në faqen e saj zyrtare: https://thedocs.worldbank.org/en/doc/5c7e4e268baaafa6ef38d924be9279be-0090082025/original/FCSListFY26.pdf
“Përmirësim të perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit; Rritje të besimit të investitorëve dhe ulje të vlerësimeve për rrezik financiar; Mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat; dhe Komplementon vlerësimin e parë të sovran kreditor të Kosovës, që konfirmon trendin pozitiv në qeverisje dhe themelet ekonomike të vendit”, thuhet në komunikatë.
Kjo arritje sipas BQK-së forcon më tej besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe “përforcon përpjekjet e përbashkëta të institucioneve për realizimin e vizionit tonë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian”.
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati ka thënë se këtë javë kanë pranuar njoftimin që Kosova është larguar nga kjo listë.
Sipas tij ky ndryshim përbën avancim të jashtëzakonshëm dhe “i vulos arritjet tona si shtet duke dëshmuar stabilitet institucional dhe qëndrueshmëri ekonomike”.
“Ky lajm i mirë padyshim se do të ketë ndikim pozitiv në perceptimin ndërkombëtar karshi Republikës së Kosovës dhe e rritë besueshmërinë e investitorëve të huaj. Njëkohësisht, kjo dëshmon edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Bankën Botërore, por edhe koordinimin jashtëzakonisht të mirë në mes të institucioneve vendore si MFPT dhe BQK”, ka shkruar Murati në Facebook.