Banorët e rrugës “Brigada 153” në Hajvali po përballen me vështirësi të mëdha qarkullimi tash e tre muaj.
Përmes një denoncimi në adresën e Insajderit, ata bëjnë të ditur se gjendja e rrugës është rënduar aq shumë sa lëvizja me automjete është bërë pothuajse e pamundur.
Sipas banorëve, përveç dëmeve në makina, edhe lëvizja në këmbë është kthyer në një sfidë të përditshme, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Ata ankohen se, pavarësisht faktit që rruga ka mbetur e bllokuar për një kohë të gjatë, deri më tani asnjë institucion kompetent nuk ka ndërmarrë hapa për riparimin e saj.
“Kemi tre muaj që jemi në këtë gjendje. Me makina nuk mund të lëvizim, por edhe në këmbë kemi probleme të mëdha. Askush nuk po merr masa, jemi lënë pas dore,” shprehet një banor i zonës i cili ka përcjellur pamje.
