Nga Ratkoci iKosovës, në Tetovë, e deri në Suedi – historia e një ushtari që nuk luftoi për famë, por për liri.
Bashkim Hoti, i lindur më 5 gusht 1980 në fshatin Ratkoc (Rahovec ), Kosovë, i biri i Shefqet Hotit dhe Seadetës, është një nga figurat ikonike të rezistencës shqiptare me pseudonimin luftarak “Gjermani”. Ai është ndër të paktët që mori pjesë në tri luftëra çlirimtare shqiptare: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Luginën e Preshevës dhe UÇK në Maqedoni.
Lufta e Kosovës – fillimi i rrugës
Në moshën vetëm 17-vjeçare, ende pa mbushur ditëlindjen, Bashkimi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai mori pjesë në disa nga përballjet më të rënda në zonën e Rahovecit, përfshirë edhe betejën e 3 shtatorit 1998 në Bajrakë, mbi fshatin Rezinë, ku armiku përparonte me mjete të blinduara. Aty, për herë të parë, Bashkimi tregoi vendosmërinë dhe disiplinën e një ushtari të vërtetë.
UÇPMB – vazhdimi i rezistencës në Luginën e Preshevës
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai iu bashkua UÇPMB-së, duke luftuar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Aty shërbeu si ushtar aktiv dhe me gradë dhjetar, duke marrë pjesë në misione të shumta të rrezikshme në vijën e frontit.
Lufta në Maqedoni – Brigada Mujdin Aliu, zona e Kalasë
Në vitin 2001, Bashkimi u rreshtua në radhët e UÇK-së në Maqedoni, duke shërbyer në Brigadën Mujdin Aliu në zonën e Kalasë – Tetovë. Aty, si komandant i njësiteve të kalasë, ai udhëhoqi aksione të rëndësishme dhe mbrojti pozicione strategjike në një nga momentet më kritike të konfliktit.
—
Në mërgatë – nder për bashkëluftëtarët që u harruan
Sot, Bashkim Hoti jeton në Suedi, ku vazhdon të jetë i angazhuar për çështjet e shokëve të luftës. Si kryetar i Shoqatës “Meshari”, ai organizoi një ngjarje madhështore në të cilën ndau mirënjohje për veteranët e tri luftërave, duke bërë atë që shteti nuk e bëri kurrë për shumë prej tyre.
Në një ceremoni të transmetuar nga RTV AlbSe, një moderatore e njohur, me uniformën e veshur të Bashkimit, tha:
“Kjo nuk është një uniformë e zakonshme. Ajo ka përballuar erërat e ftohta, rrezet e nxehta, shirat, borën dhe lotët për bashkëluftëtarët e vrarë. Ajo ka qenë në trupin e një ushtari që për muaj të tërë nuk qeshi asnjëherë. Ai sot vuan nga pasojat fizike të luftës, por nuk ndalet së nderuari shokët e tij.”