Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Gjilanit, në një ceremoni solemne të zhvilluar sot, ku u vlerësua kontributi i tij dhe i Shqipërisë në mbështetje të Kosovës, veçanërisht në kohë të vështira.
Gjatë fjalimit të tij falënderues, Begaj u shpreh se ky titull është një vlerësim që e pranon me përulësi dhe që përfaqëson gjithë shqiptarët që kanë qëndruar të bashkuar ndër dekada. “Pavarësia e Kosovës nuk ishte dhuratë. Ishte mundi dhe sakrifica për të qenë të lirë”, tha ai.
Presidenti përmendi disa prej figurave historike të Gjilanit që kanë dhënë jetën për lirinë, përfshirë Idriz Seferin, Ramiz Cernicën, Kadri Zekën, Nuhi Rexhepin dhe Agim Ramadani.
Ai theksoi lidhjen e pathyeshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke deklaruar: “Jemi dy shtete, një gjak, një gjuhë, një komb. Shqipëria ka qenë gjithnjë në krah të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë”.
Presidenti Begaj u ndal edhe te aspiratat e përbashkëta evropiane: “Shqipëria dhe Kosova duhet rrugëtuar së bashku drejt Bashkimit Evropian. I përkasim Europës me vlera, me histori dhe me përkushtim për demokracinë e lirinë”.