Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka cilësuar si “informuese dhe të sinqertë” bisedën telefonike gati dyorëshe që pati me presidentin amerikan, Donald Trump, raportoi BBC.
“Ishte shumë informuese dhe mjaft e sinqertë dhe shumë e dobishme në këtë drejtim. Para së gjithash, e falënderova presidentin e SHBA-së për mbështetjen e SHBA-së për rifillimin e negociatave direkte mes Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje të mundshme paqeje. Presidenti i SHBA-së shprehu qëndrimin e tij për një armëpushim. Nga njëra anë, unë ceka se Rusia favorizon një zgjidhje paqësore për krizën ukrainase. Ne thjeshtë duhet të përcaktojnë mënyrat më efektive për të ecur drejt paqes,” ka deklaruar Putin, sipas mediave shtetërore ruse.
Putin ka shtuar se Rusia është e gatshme të punojë me Ukrainën drejt një marrëveshjeje paqeje, përmes një memorandumi të përbashkët.
“Rusia do të ofrojë dhe është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum për një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen,” ka theksuar ai.
Sipas presidentit rus, në këtë marrëveshje potenciale do të përfshihej edhe një armëpushim i përkohshëm.
“Edhe një armëpushim i mundshëm për një periudhë të caktuar kohore, nëse arrihet marrëveshja përkatëse,” ka shtuar Putin.
Ai gjithashtu ka përmendur se rinisja e bisedimeve në Stamboll është një sinjal pozitiv që lë të kuptohet se palët mund të jenë në rrugën e duhur.
“Rinisja e bisedimeve në Stamboll jep arsye të besohet se ‘jemi në rrugën e duhur’,” ka deklaruar ai.