Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në takimin e nesërm të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) do të theksojnë se duhet të ketë kompromis dhe bashkëpunim.
Para gazetarëve, sekretarja e përgjithshme e PDK-së tha se asnjëherë nuk kanë ikur nga takimet.
“U pa edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetetuese – ne kemi pasur të drejtë. Situatat si këto kërkojnë kompromis, kërkojnë bashkëpunim dhe Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka ikur takimeve. Në takim do të themi po të njëjtat gjëra që i kemi thënë vazhdimisht tash e disa muaj. Në politikë dhe në demokraci nuk ka vend për kryeneçësi. Duhet të ketë hapësirë për kompromis dhe për bashkëpunim. Ne kemi ofruar alternativat tona shpresoj që tani LVV të reflektojë”, deklaroi ajo.
Ajo tha se nuk ka asgjë obligative në demokraci, derisa u pyet për deklarimin e deputetit të LVV-së, Xhelal Sveçlës.
Ndërkaq, sa i përket votimit në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve ajo tha se një gjë e tillë nuk është e paraparë me rregullore të punës së kuvendit.