Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë dje vendimin që i obligon subjektet politike ta përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës brenda 30 ditëve.
Në një intervistë mbrëmë në Klan Kosova, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se nëse ky detyrim nuk përmbushet brenda afatit të përcaktuar, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës nga ana e të gjithë deputetëve.
“Nëse nuk bëhet atëherë aty sigurohet se është shkelur Kushtetuta, dhe Kushtetutën nuk e shkel individi, por institucioni. Këtu shkelet Kushtetuta nga të gjithë deputetët, nga i pari te i fundit”, tha Kryeziu.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka mekanizëm për zbatimin e drejtpërdrejtë të vendimeve të saj, por në mënyrë të qartë theksoi se dështimi për të zbatuar vendimin përbën vepër penale.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pengimi apo moszbatimi i obligimeve kushtetuese, siç është konstituimi i Kuvendit, mund të ndëshkohet me burgim prej 3 deri në 6 vjet.