Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka komentuar në emisionin “Forum” në DTV Media zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë, përfshirë edhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Daka tha se, sipas saj, ndikimi politik është shtrirë në pothuajse të gjitha institucionet kushtetuese.
“Të gjitha institucionet i ka çelësat Albini. Nuk besoj se ka mbetur ndonjë institucion tjetër pa e pasur në dorë”, deklaroi Daka.
Duke folur për situatën pas 6 tetorit, Daka tha se vendi mund të përballet me një situatë të re institucionale.
“Deri më 6 tetor kemi Kuvend e Qeveri, por pas 6 tetorit nuk kemi as Qeveri, as Kuvend, as ushtrues detyre të presidentit”, tha ajo.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur vendi ndodhet përballë afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Sot Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkarkuar Blerim Isufajn nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. KPK-ja e ka arsyetuar vendimin me çështje të performancës, mosefikasitetit dhe keqmenaxhimit, ndërsa mënyra e shkarkimit është kritikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi si e ngutshme dhe jotransparente.
Daka e ka lidhur këtë zhvillim edhe me atë që ajo e konsideron si ndikim të pushtetit mbi institucionet e drejtësisë dhe institucionet e tjera kushtetuese.
