Tifo-grupi zyrtar i Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, ka bërë thirrje për mbështetje të fuqishme për përfaqësuesen para ndeshjes së sontme ndaj Irlandës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova do ta nisë edicionin e ri të Ligës B përballë Irlandës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me ndeshjen që do të zhvillohet nga ora 20:45.
Pak orë para përballjes, “Dardanët” kanë kërkuar mobilizim maksimal nga tifozët, duke theksuar rëndësinë e rezultateve në grup dhe të mbështetjes gjatë gjithë ndeshjes.
“Dardanët” kanë bërë të ditur se janë përgatitur për të krijuar një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe në stadium.
“Dita e ndeshjes. Klasifikimi i mirë në grup na garanton vazon e dytë për kualifikimet e rregullta që nisin në mars 2027. Si ‘Dardanë’ kemi marrë të gjitha masat që sonte të jetë festë e vërtetë në ‘Fadil Vokrri’”, thuhet në njoftimin e tifo-grupit.
Përballja Kosovë–Irlandë është pjesë e Grupit B3 të Ligës së Kombeve dhe nis në orën 20:45.
