Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se ftesa e presidentes së Kosovës për subjektet politike ka të bëjë vetëm me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, e sipas saj, kur thirret për çështje të caktuar nuk diskutohet temë tjetër.
Ajo ka shtuar se nuk pritet që në këtë takim me presidenten të diskutohet edhe për çështjen e zhbllokimit të situatës në Kuvend apo për mundësinë e zgjedhjeve parlamentare.
Deliu i ka quajtur “viktimizim” deklaratat e kandidates së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, se partitë e tjera po bëjnë sulme seksiste e mizogjene ndaj saj.
“Mungesa e vullnetit politik për ta mbështetur Haxhiun nuk mund të kthehet në viktimizim dhe adresim siç e bëri Kurti. Të dy bënë përpjekje që refuzimin politik për ta përfaqësuar Kuvendin nga një zonjë që vazhdon të mos e ketë mbështetjen e deputetëve, në karrierën si ministre janë numri më i madh i ligjeve që kanë rënë ndesh me Kushtetutën, ka dështuar të bëjë reformat në sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë, dështimet e saj kanë qenë të theksuara. Gjuha polarizuese që e ka përdorur për kohë të gjatë po e dëshmon që ajo nuk mund të jetë kandidate e denjë për të qenë kryetare e Kuvendit”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.
Ndërkaq, problematike e ka parë pjesëmarrjen e kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin me emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sorensen, në Bruksel për çështje të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Deliu u shpreh se Bislimi nuk ka më legjitimitet të jetë në tavolinën e negociatave.
“E shoh problematike çdo përpjekje të personave që nuk kanë legjitimitet që sot të ushtrojnë mandate qeveritare të tyre. Bislimi nuk e ka legjitimitetin që të jetë në tavolinën e bisedimeve në dialog. Kemi pasur edhe vendime të tjera që janë të dëmshme, emërime të këshillave drejtues, vendime që lidhen me buxhet nga ministra në largim që paralelisht i kryejnë dy detyra”, ka përfunduar ajo.