Ekipi mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të kundërshtojë në Apel vendimin e Gjykatës Speciale sa i përket mënyrës së llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim, i cili iu shqiptua në procesin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Përmes një shkrese të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka njoftuar se mbrojtja rezervon të drejtën për ta dërguar në Dhomën e Apelit vendimin e gjykatësit lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe kreditimin e kohës së kaluar në paraburgim.
Më 17 nëntor 2026, Gjykata e Hagës e shpalli fajtor Thaçin për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, duke e dënuar me 17 muaj burgim. Mirëpo, gjykatësi kishte vendosur se koha e kaluar në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të ndara nuk mund të llogaritet njëkohësisht për dy dënime që nuk ndërlidhen me njëra-tjetrën.
Ndaj këtij arsyetimi ka reaguar ashpër mbrojtja, e cila potencon se nëse Thaçit do t’i njihej koha e paraburgimit që nga momenti i njoftimit për fletarrestimin në Rastin 12, ky dënim do të quhej tashmë i kryer dhe ish-presidenti do të lirohej nga kjo masë.
“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në shkresën e avokates Menegon.
Më tej, mbrojtja ka sqaruar se aktualisht nuk planifikon të dorëzojë parashtrime të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit, por mbetet e vendosur që përmes ankesës ndaj Aktgjykimit të sfidojë vendimin për mosllogaritjen e njëkohshme të dënimeve dhe mosnjohjen e kohës së kaluar në paraburgim.




















