Në vazhdën e tubimeve të bashkatdhetarëve nëpër botë pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, protesta në mbështetje të tyre janë paralajmëruar edhe në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Në qytetin e Mulhouse të Francës është organizuar një protestë në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim në Hagë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të shprehin mbështetjen e tyre për këtë çështje. Sipas organizatorëve, protesta do të jetë paqësore dhe do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00.
Ndërkohë, një tjetër tubim është thirrur në Londër, në vazhdën e protestave të diasporës shqiptare pas vendimit të 16 shtatorit.
Sipas një njoftimi nga Këshilli Organizativ, zhvillimet e 16 shtatorit kanë sjellë shqetësim dhe zhgënjim të madh te shumë shqiptarë, veçanërisht kur bëhet fjalë për UÇK-në dhe ish-krerët e saj.
“Në këto momente kemi nevojë për solidaritet, bashkim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Tri shkronjat – UÇK – mbajnë për shumë shqiptarë kujtimin e një periudhe të rëndë të historisë sonë, të sakrificës së brezave dhe të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Kjo histori dhe kujtimi i të rënëve meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt”.
Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e solidaritetit mes shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetojnë.
“Pavarësisht se ku jetojmë – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë apo në mërgatë – na bashkojnë gjuha, historia, familjet tona dhe përgjegjësia për të ruajtur kujtimin e brezave që sakrifikuan aq shumë”.
Këshilli Organizativ ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e Londrës, duke theksuar se ajo do të mbahet me moton “JO NË EMRIN TIM!”.
“Sot është koha të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, me maturi dhe dinjitet, duke kërkuar drejtësi, paanshmëri dhe respektim të plotë të të drejtave të secilit. Me këtë frymë solidariteti, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës me moton: ‘JO NË EMRIN TIM!’”, u tha mes tjerash në njoftim.
Tubimi paqësor në Londër është thirrur për të dielën, më 27 shtator, nga ora 11:30 deri në 13:30, në lokacionin Richmond Terrace.
