Pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i ka kërkuar mbështetjen e Francës për rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata ndërkombëtare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
“Nga Presidenti Macron kërkova mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për një sërë çështjesh me rëndësi, përfshirë rolin e NATO-s në Kosovë dhe angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian.
“Për rreth dy orë diskutuam për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për angazhimin e misioneve të Bashkimit Evropian, si dhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, është shprehur ai.
Sipas Kurtit, në takim janë ngritur edhe çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.
“Gjithashtu, në takim ngrita çështjet e sigurisë, forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse, dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë”, ka deklaruar Kurti, duke falënderuar presidentin Macron për pritjen dhe mbështetjen e Francës ndaj Kosovës.
