Në Ditën Botërore të Popullsisë, UNFPA (Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë), prezantoi raportin për gjendjen e popullsisë botërore 2025 me titullin “Krizat e vërteta të fertilitetit”, duke theksuar se rënia e lindshmërisë nuk është problemi kryesor, por pasiguria ekonomike, sociale dhe institucionale që u mohon njerëzve të drejtën për të ndërtuar jetën dhe familjen që dëshirojnë, raporton Ekonomia Online.
Shefja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko- Nimani, tha se të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë 2024 ofrojnë një pamje të qartë të ndryshimeve në shoqërinë kosovare dhe kërkojnë veprim urgjent.
“Regjistrimi i Popullsisë 2024 na ka dhënë pamjen më të qartë dhe gjithëpërfshirëse të shoqërisë së Kosovës në mbi një dekadë dhe ajo që zbulohet na fton të reflektojmë thellë dhe mbi të gjitha të veprojmë tani. Kosova po ndryshon. Popullsia po zvogëlohet. Shkalla e fertilitetit ka rënë nën nivelin e zëvendësimit. Dhe të rinjtë, pasuria më e çmuar, po migrojnë, jo vetëm jashtë vendit, por edhe nga zonat rurale në ato urbane, në kërkim të mundësive, dinjitetit dhe sigurisë për të ardhmen e tyre”, tha ajo.
Duke iu referuar raportit global të UNFPA-së, Nimani shtoi se problemi nuk është numri i lindjeve, por pamundësia e njerëzve për të pasur familjet që dëshirojnë për shkak të kushteve ekonomike, mungesës së mbështetjes institucionale dhe normave shoqërore të padrejta.
“Këto shifra na tregojnë diçka thelbësore: nuk është çështje statistikore. Është çështje e të drejtave, e zhvillimit njerëzor, e barazisë dhe mbi të gjitha, e zgjedhjes. Në të gjithë botën, vendet janë alarmuar për rënien e lindshmërisë. Por kriza e vërtetë nuk është që njerëzit po kanë më pak fëmijë. Kriza e vërtetë është që shumë njerëz nuk mund t’i kenë familjet që dëshirojnë. Raporti Global i UNFPA-së tregon se njerëzit ende duan mesatarisht dy ose më shumë fëmijë. Por shpesh, sistemi i pengon: nuk mund të përballojnë kujdesin për fëmijë. Banimi është shumë i shtrenjtë. Punët janë të pasigurta dhe vendet e punës jo fleksibile. Gratë, veçanërisht, përballen me zgjedhje të pamundura—mes amësisë dhe avancimit profesional. Dhe grupet e margjinalizuara, përfshirë prindërit beqarë dhe personat LGBTQI+—përballen ende me barriera ligjore, shoqërore ose financiare. Kosova nuk bën përjashtim”, tha ajo.
Mujko-Nimani theksoi se zgjidhja nuk qëndron në “rregullimin” e fertilitetit, por në ndërtimin e sistemeve mbështetëse për familjet dhe të rinjtë.
“Në vend se të përpiqemi të ‘rregullojmë’ fertilitetin, duhet të rregullojmë sistemet që po dështojnë familjet: të investojmë në kujdes cilësor dhe të përballueshëm për fëmijët, që u jep prindërve zgjedhje të vërteta. Të sigurojmë leje të paguar prindërore për të dy prindërit, që kujdesi të ndahet dhe gratë të mos penalizohen. Të promovojmë kushte fleksibile të punës, që të kesh një fëmijë të mos nënkuptojë humbjen e karrierës. Të adresojmë ndarjen urbano-rurale që çdo fëmijë—në Skenderaj, Dragash apo Prishtinë të ketë qasje në arsim dhe shëndetësi cilësore. Dhe të miratojmë masa më të forta kundër diskriminimit, sidomos për gratë, prindërit e rinj, të moshuarit dhe komunitetet e margjinalizuara”, tha ajo.
Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, theksoi se raporti global i UNFPA-së kërkon ndryshim të narrativës globale rreth fertilitetit dhe rënies së popullsisë.
“Kam një mesazh global, i cili, sërish, i referohet Raportit për Gjendjen e Popullsisë Botërore, që na sfidon të riformulojmë të gjithë bisedën rreth fertilitetit dhe ndryshimeve të popullsisë. Ky raport na kujton se të rinjtë në mbarë botën nuk po heqin dorë nga familjet, por janë të zhgënjyer nga pasiguria në punësim, strehimi i papërballueshëm, normat gjinore të pabarabarta dhe pasiguria për të ardhmen. Pra, kriza e vërtetë nuk është rënia e fertilitetit, por rënia e besimit – besimit se njerëzit mund të ndërtojnë jetën që dëshirojnë. Dhe kjo kërkon një ndryshim për të mundësuar të drejtat dhe zgjedhjet e njerëzve”, tha ajo.
Spence tha se Kosova përballet me sfida të ngjashme si shumë vende të tjera, duke përfshirë pasigurinë në tregun e punës, pjesëmarrjen e ulët të grave në ekonomi dhe mungesën e qasjes në shërbime të kujdesit.
“Jemi me fat që Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Evropë, por shumë të rinj këtu në Kosovë përballen me pengesa të ngjashme: pasiguri për punësimin, strehimin, qasjen në kujdes, madje edhe mungesë besimi në një të nesërme më të mirë. Kjo nuk është aspak për t’u habitur, kur gati një e treta e të rinjve nuk janë as të punësuar, as në shkollim apo trajnim, dhe vetëm rreth një e katërta e grave marrin pjesë në fuqinë punëtore. Për të rinjtë, kjo përqindje është edhe më e ulët”, tha ajo.
Në lidhje me trendet demografike, Spence theksoi se popullsia e Kosovës është ende e re, por në rënie të vazhdueshme.
“Që nga censusi i fundit në vitin 2011, popullsia ka rënë me 8%. Fertiliteti ka rënë nga 2.3 në 1.8 dhe ka një grup gjithnjë e më të madh të personave të moshuar. Ky ndryshim sjell sfida dhe urgjencë, dhe dritarja për të përfituar nga dividenti demografik po ngushtohet. Kosova duhet të veprojë tani për të ndërtuar një të ardhme që i mban njerëzit e saj, mbështet familjet dhe krijon kushte që të gjithë të lulëzojnë. Kjo do të thotë të investojë në kapitalin njerëzor – në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe aftësi – si dhe në sisteme më të fuqishme të kujdesit që e njohin punën e papaguar të kujdesit, gratë, kujdesin profesional dhe të drejtën për jetë familjare”, përfundoi Spence.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë tregojnë për transformime të thella në shoqërinë kosovare dhe kërkojnë reflektim serioz.
“Me përfundimin e regjistrimit të popullsisë së vitit 2024 ne kemi të dhëna të plota por edhe të besueshme demografike që tregojnë se ka transformime të rëndësishme në shoqërinë kosovare. Rezultatet kërkojnë një reflektim të thellë. Kosova ka shënuar rënie të popullsisë, kryesisht të shtyrë nga dy faktorë: e para, emigrimi i lartë, si dhe ulja e lindjeve. Në të njëjtën kohë, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe standardeve të jetesës ka rritur jetëgjatësinë, gjë që nënkupton se Kosova po kalon drejt një shoqërie në plakje dhe se dritarja e shfrytëzimit të rinisë po ngushtohet dhe kërkon veprim të menjëhershëm”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu pabarazitë territoriale, me rritje të theksuar të popullsisë në qendrat urbane dhe tkurrje të vazhdueshme në zonat rurale e kufitare.
“Raporti thekson edhe pabarazi në aspektin hapësinor e social. Përderisa qendra të mëdha si Prishtina po shënojnë rritje, komunat e vogla, veçanërisht ato në zona kufitare, po shënojnë tkurrje domethënëse. Është evidentuar se ka shumë banime që në vitin 2011 kanë pasur banorë e sot kanë zero banorë”, përfundoi Hashani.


