Me fillim nga ora 13:00, në Poligonin e Stërvitjes në Babaj të Bokës, Gjakovë do të zhvillohet Dita e Vizitorëve të Shquar (DV Day), si pjesë e ushtrimit ndërkombëtar shumëkombësh “Defender Europe 25”.
Ngjarja do të përcillet nga përfaqësues të mediave vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa të pranishëm do të jenë udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, përfaqësues të vendeve të NATO-s dhe partnerëve ndërkombëtarë, ambasadorë, si dhe oficerë të lartë nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe shtete pjesëmarrëse në ushtrim, transmeton Klankosova.tv.
Përmes skenarëve operativë të përgatitur enkas për këtë ditë, siç është bërë e ditur, Forca e Sigurisë së Kosovës do të demonstrojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë me forcat partnere dhe ato të rajonit. Në ushtrim marrin pjesë edhe forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.