Po vazhdon intervistimi i Naim Murselit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në pjesën e dytë të seancës, Murseli po ballafaqohet me disa mesazhe të dërguara nga telefoni i tij një natë para vrasjes së Liridona Ademajt, si dhe me komunikimet telefonike të ditës së vrasjes.
Mesazhi i parë i paraqitur në gjykatë mban datën 28.11.2023, në orën 19:00. Në të shkruhet:A kryhet sigurt nesër?”
Ndërsa përgjigjja thuhet të ketë qenë: Nesër me siguri kryhet. T’kallxon Kuqa.
I pyetur nëse e kishte dërguar ai këtë mesazh, Naim Murseli deklaroi se nuk i kujtohet.
Po ashtu, prokuroria bëri të ditur se ditën e vrasjes, Murseli e ka telefonuar tri herë Granit Pllanën. Një telefonatë është realizuar rreth orës 09:00, tjetra në orën 09:21 dhe një tjetër në orën 10:35. Sipas të dhënave të paraqitura, këto kanë qenë thirrje të humbura.
Para trupit gjykues, Naim Murseli shpjegoi arsyet e komunikimeve telefonike me Granitin dhe Kushtrimin.
“Unë atë ditë jam takuar me Granitin. Kushtrimi dhe Graniti një ditë më herët kishin pasur një problem mes vete. E kam thirrur Granitin, por nuk m’u përgjigj. Kushtrimi më tha: shko në filan vend, se është Graniti aty. Kushtrimit i ishte prishur vetura. Ai tha po shkoj ta rregulloj veturën dhe shihemi më vonë. Kjo ka qenë arsyeja e bisedave,” deklaroi Murseli.
