Analisti dhe publicisti Dukagjin Gorani, në emisionin “FORUM” në DTV Media, ka komentuar zhvillimet politike në vend pas verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe situatën rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Gorani ka thënë se, për herë të parë, nuk po vërehet interes i madh nga aktorët politikë, shoqëria civile apo aktivistët për një proces të ri zgjedhor.
“Kjo është hera e parë që bash kërkush nuk ka kurrfarë interesimi që vendi me shku në zgjedhje”, ka deklaruar Gorani.
Sipas tij, kanë mbetur vetëm shtatë ditë deri në skadimin e afatit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa, siç tha ai, kjo situatë dallon nga periudhat e mëparshme kur partitë dhe faktorë të ndryshëm shoqërorë shfaqnin më shumë interes për zgjedhje të reja.
Gorani ka theksuar gjithashtu se kjo po ndodh në një periudhë të cilën ai e konsideron si gjendje të jashtëzakonshme politike, pas verdiktit të fundit në Hagë.
“Jemi përballë një gjendjeje të jashtëzakonshme pas verdiktit të Hagës, ndërsa për herë të parë nuk po shohim interesim as nga akterët politikë, as nga shoqëria civile dhe as nga aktivistët që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Gorani.
Deklarata e tij u bë në kuadër të diskutimit për situatën aktuale politike dhe skenarët që mund të zhvillohen në ditët në vijim.
