Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, R.N. dhe H.D., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”.
Aktakuza është ngritur nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ndërsa të dyshuarit kanë qenë të angazhuar si rojtarë në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, Njësia Pyjore Blinaj në Lipjan.
Sipas aktakuzës, R.N. dyshohet se gjatë periudhës 2022–2026, pas përfundimit të detyrës për shkak të pensionimit, nuk e ka kthyer armën zyrtare të gjahut, model “Over/Under”, e cila ishte pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Prokuroria pretendon se ai e ka mbajtur armën me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për person tjetër.
Në rastin e dytë, H.D. dyshohet se gjatë periudhës 2019–2026, pas shkarkimit nga puna, nuk e ka dorëzuar armën zyrtare të gjahut, model “Pump Action Shotgun”.
Sipas Prokurorisë, edhe kjo armë ishte pronë e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe mosdorëzimi i saj i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material institucionit.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
