Një tragjedi e rëndë ka goditur komunitetin shqiptar në Greqi, pas aksidentit fatal të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Nea Peramos të Kavallës, ku humbën jetën dy të rinj shqiptarë.
Viktimat janë identifikuar si Arditi, 34 vjeç, dhe Marigleni, 36 vjeç. Sipas informacioneve, dy të rinjtë ishin miq të ngushtë, raporton Euronewsalbania.
Aksidenti ndodhi në rrugën që lidh Nea Peramos me zonën e Ammolofoit, ku një motor u përplas me një monopatinë elektrike. Përplasja ishte tepër e rëndë.
Arditi, i cili drejtonte motorin, humbi jetën si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, Marigleni, i cili udhëtonte me monopatinë elektrike, u transportua në gjendje të rëndë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës.
36-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit. Kështu, bilanci i aksidentit tragjik shkoi në dy viktima.
Lajmi për ndarjen nga jeta të dy miqve ka shkaktuar dhimbje të madhe, ndërsa familjarët dhe të afërmit përballen me një humbje të dyfishtë dhe të papritur.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën dhe shkaqet e sakta të aksidentit.
