E njëmbëdhjeta. Po. Po e lexoni mirë. Seanca konstituive do të mbahet nesër, e hënë me fillim nga ora 10.00, për të njëmbëdhjetën herë.
Ndërsa mumri i tentativave për ta (mos)konstituuar Kuvendin e Kosovës u bë dyshifror, Vetëvendosje ende nuk po jep sinjale të tërheqjes nga përpjekjet për ta rikandiduar Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni – pavarësisht se ajo nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme.Në përpjekjen e fundit, kjo parti propozoi krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë, me deputetin Hekuran Murati si anëtar. Kërkesa hasi në rezistencë nga opozita. Kryetari i seancës, Avni Dehari, iu drejtua PDK-së për të nominuar një përfaqësues në komision, por kjo nxiti një reagim të ashpër nga lideri i saj, Memli Krasniqi.
Krasniqi i bëri thirrje deputetëve që të mos lejojnë presionet politike të cenojnë ligjshmërinë dhe funksionimin e Kuvendit, duke paralajmëruar se procesi po shndërrohet në një skenë absurde.
“Ju ftoj për përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos e bëni cirk këtë Kuvend”– deklaroi Krasniqi, të cilit u ndërpre fjala me shpejtësi nga Dehari.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosoves, Vlora Çitaku, akuzoi Vetëvendosjen se po e shndërron institucionin më të rëndësishëm të Kosovës“në një cirk”.Është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e turpshme të shohësh sesi një grupacion politik po e shndërron Kuvendin në një cirk, si po tallen me të dhe me qytetarët që na kanë besuar votën për t’i përfaqësuar me dinjitet dhe për të marrë vendime me peshë.”– tha Çitaku.
Ajo kritikoi edhe vendimin e Deharit për t’ia ndërprerë fjalën kryetarit të PDK-së, ndërsa nuk kishte vepruar njësoj në rastin e përfaqësuesit të Listës Serbe.“Madje sot, Kryesuesi i Kuvendit ia ndali fjalën Kryetarit të PDK-së dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë, z. Memli Krasniqi, ndërkohë që fjalën nuk ia ndali përfaqësuesit të Listës Serbe. Sinqerisht, për turp.”– shtoi Çitaku.
Edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, u shpreh e shqetësuar për ngërçin politik. Në një deklaratë për Klan Kosova, ajo theksoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit po dëmtojnë seriozisht funksionalitetin dhe progresininstitucional të vendit.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Kuvendi të Kosovës, por zhvillimet edhe mosarritja e konstituimit të Kuvendit edhe si procedurë është një ndjenjë e keqe. Kosova po humb, po humbasim kohë dhe po humbasim efikasitet, që do të mund të ishte shumë produktiv edhe për vendin tonë, edhe mosushtrimi i mandatit është një pjesë që vështirëson në këtë proces, shpresoj të zhbllokohet sa më shpejtë”,ka thënë Lushaku-Sadriu.Ndërkohë, deputetja Ganimete Musliu hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidates Albulena Haxhiu, duke e cilësuar si instrument në duart e kryeministrit Albin Kurti.
“Albulena mbi Republikën! Shteti vazhdon të mbetet pa institucione, sepse Albulena ka vendosur të bëhet masha e Albinit. Ajo ka zgjedhur që pushtetin e Albinit ta vendosë mbi shtetin, mbi interesin e popullit, mbi të ardhmen e fëmijëve të saj. Kur individi vlen më shumë se shteti, vritet demokracia. Albulena po lejonqë emri i saj të bëhet arma me të cilën Albini po synon të vrasë demokracinë tonë. Ajo po bëhet shkaktare e një krize institucionale, politike dhe morale.”– Musliu mes tjerash.