Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 12:42, në Mirash të Ferizajit, atje ku humbi jetën një person pasi e zuri rryma. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, nga ku u bë e ditur se tashmë i ndjeri gjatë momentit kritik ishte duke punuar në pullazin e shtëpisë.
Siç bëhet e ditur, viktima në këtë ngjarje të rëndë është i riu Shpend Qalaj.
Për vdekjen e tij familja ka dalë me një njoftim mortor.
“Me dhimbje të thellë, me zemër të copëtuar e me një trishtim që s’ka fjalë që e përshkruan, njoftojmë humbjen tragjike të të dashurit tonë. Shpend Naim Qalaj i lindur më 23 shtator 1998, i cili ndërroi jetë sot, në mënyrë të papritur, tragjike dhe tejet të rëndë. Familja Qalaj është e tronditur thellë nga kjo humbje e rëndë, tragjike dhe e parakohshme. Falënderojmë të gjithë ata që ndajnë dhimbjen me ne në këto momente të papërballueshme. Zoti e pastë shpirtin e tij të bardhë. Qoftë i xhenetit”, thuhet në njoftimin mortor të familjes.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku, ndërsa me kërkesë të familjarëve dhe konsultim me prokurorin, trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni mortore.
“HETIM MBI VDEKJEN: Fsh. Mirash, Ferizaj 14.11.2025 – 12:42. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, deri sa ishte duke punuar në pullazin e shtëpisë ka rënë në kontakt me rrymën dhe si pasojë ka humbur jetën. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku ndërsa me kërkesë të familjarëve dhe konsultim me prokurorin trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, njoftoi policia në raportin 24-orësh.
