Një rast i rëndë është raportuar në Gjakovë. Në Stacionin Policor të kësaj komune, janë paraqitur nëna me vajzën e saj të mitur, për të raportuar një rast të dyshimit për sulm seksual nga babai i saj.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Sulmi seksual”.
Në një përgjigje Prokuroria ka bërë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual” dhe ndaj të njëjtit Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit“, thuhet në përgjigjen e tyre duke shtuar se Prokurori i Shtetit në koordinim me Policin e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.
Nga prokuroria kanë potencuar se meqë rasti ka të bëjë me të mitur dhe raste me të mitur sipas dispozitave ligjore janë të mbyllura për publikun.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës.
Zëdhënësja Vlera Krasniqi njoftoi se me datë 7 prill 2025, në stacionin policor janë paraqitur një nënë së bashku me vajzën e saj të mitur për të raportuar dyshimin për sulm seksual.
Sipas policisë, i dyshuari është një person i moshës madhore dhe anëtar i ngushtë i familjes së viktimës.
Për të garantuar mbrojtjen dhe trajtimin e duhur të të miturës, ajo është dëgjuar nga Njësia Rajonale e Hetimeve në prani të zyrtares nga Qendra për Punë Sociale.
