Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë përurimit të godinave 16 dhe 17 në Qytetin Studenti theksoi se Shqipëria nuk është më në tranzicion.
Ai tha se janë në një pozicion ku kanë një besim të madh të njerëzve për të shpërblyer dhe nevojën për t’u përmirësuar.
“Shqipëria nuk është më në tranzicion, është ekzaktësisht vetëm pak hapa BE-së, çdo vit në jetën e një individi është shumë e madhe por në jetën e një vendi dhe populli është vetëm një hap, pak hapa nga hyrja me drejta të plota në BE, edhe si është ndërtuar e jetueshme e nesërmja edhe si e shkuara vazhdon të jetë e pranishme përmes një sërë objektesh shëmtirash që duhen edhe ato adresuar, zëvendësuar, këto shëmti janë fizike, janë po ashtu pjesë e jetës institucionale në formën e mosmbarëvajtjes së një sërë gjërave në formën e korrupsionit apo gjërave që ne i kemi adresuar dhe vazhdojmë. Asgjë më nuk do të lërë shijen e keqe të së shkuarës që qëndron mes nesh, nuk do të jemi një vend në Europë, por një vend brenda Europës së bashkuar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është përndjekur prej vitesh nga siç tha ai, shpirtra të këqij, të cilët e kanë bërë të humbasë shumë shanse.
“Një përballje që lidhet me një përndjekje e së ligës, së keqes e një shpirti të keq që e ka bërë Shqipërinë të humbasë shumë shanse dhe të futet në qorrsokak duke nisur qyshkur një grup njerëzish vizionarë dhe kurajozë shpallën pavarësinë dhe sapo ngritën flamurin panë t’u ngrihen dhe qepen këmba këmbës edhe shejtanët e Shqipërisë, që në shumë se një rast arritën ta dominojnë Shqipërinë para dhe mbrapa, por tanimë kemi mundësinë të ndihemi të çliruar, shejtanët aty janë, por në rastin më të keq luajnë rolin e hudhrës që na mbajnë larg syrit të keq dhe në rastin më të mirë na motivojnë të bëjmë një mijë herë më shumë”, tha Rama.
