Këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, ku u dëgjua eksperti i mjekësisë ligjore, Valon Hyseni.
“Pas kryerjes së autopsisë të tani të ndjerit, kemi ardhur në përfundim që vdekja e tani të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme në regjionin e kokës dhe dërmimit të trurit të vogël” – ka deklaruar eksperti mjeko-ligjor Valon Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hyseni deklaroi se i ndjeri kishte gjithsej 5 plagë me armë zjarri, dhe ato në regjionin e kokës, në regjionin e krahut të dorës së majtë, në regjionin e barkut, në regjionin ijor, si dhe në regjionin e kofshës së këmbës së djathtë, e që të njëjtat janë plagë tejshkuese, që nënkupton se plagët kanë pasur vrima hyrëse dhe dalëse, rrjedhimisht nuk ka pasur predha në organizëm.
Ndërsa, tha se me armë zjarri nuk ka pasur plagë tjera, por edhe disa gërvishje dhe dërmishje lëkurore, të cilat janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mprehës – të topitur.
Po ashtu, Hyseni tha se plaga në regjionin e kokës ka qenë plagë vdekjeprurëse.
Kurse, të gjitha qitjet e armëve të zjarrit të cilat rezultuan me plagët e tani të ndjerit kishin ndodhur në largësi prej mbi 1 metër.
Ndër të tjera, eksperti Hyseni tha se analizat toksikologjike në rastin konkret nuk janë kryer pasi që laboratori i Institutit të Mjekësisë Ligjore është jashtë funksionit që nga viti 2023, mirëpo që këto analiza nuk do të ndryshonin shkakun e vdekjes.
Paraprakisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kadri Mjekiqi, propozoi që të mbyllet seanca gjatë deklarimit të ekspertit të mjekësisë ligjore, Valon Hyseni, me kërkesë të familjarëve për shkak të ekspozimit eventual të fotografive, propozimi i cili u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku.
Ndryshe, në këtë seancë kishte për të dëgjuar edhe dëshmitarja Rinora Dërmaku, mirëpo e njëjta për shkaqe shëndetësore nuk kishte mundësi të prezantonte në këtë seancë.
Ndryshe, në seancën fillestare më 6 maj 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërkaq, në seancën e 26 gushtit 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan sërish të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, kurse e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, fajësinë e pranoi për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova” i akuzuari Vesel Bunjaku, të cilit iu veçua procedura, kurse më 28 gusht 2026, Bunjaku u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Kujtojmë se më 21 korrik 2026, nisi gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.
