Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga importet, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues.
Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë muajit qershor 2025, deficiti tregtar ka arritur në 498,3 milionë euro, një rritje prej 17,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky bilanc negativ ndodh përkundër rritjes modeste të eksporteve, të cilat nuk po arrijnë ta mbulojnë as së afërmi vrullin e importit.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave nga Kosova në qershor 2025 kishte vlerën 80,4 milionë euro, ndërkohë që importi arriti në 578,7 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 9,5% për eksportet dhe një rritje shumë më të lartë – 16,0% për importet, krahasuar me qershorin e vitit 2024.
Raporti tregon se eksportet mbulojnë vetëm 13,9% të importeve, një tregues që vazhdon të flasë për një strukturë të brishtë të prodhimit vendor dhe për një pabarazi të thelluar në raportet tregtare.
Sipas të dhënave, eksportet dominohen nga metalet bazë dhe produktet plastike, ndërsa në grupin e importeve kryesojnë produktet minerale, makineritë dhe mjetet e transportit, tregues se ekonomia e vendit vazhdon të jetë e varur nga mallrat e gatshme dhe inputet e jashtme për funksionimin bazik.
Në aspektin gjeografik, Kosova eksporton më së shumti drejt vendeve të CEFTA-s (45,9% e eksporteve), ku kryesojnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, importet vijnë kryesisht nga Bashkimi Evropian (43,1%) dhe vendet e tjera të botës si Kina dhe Turqia, të cilat së bashku përbëjnë gati gjysmën e totalit të importeve.
Eksportet dhe importet në rritje
Gjatë qershorit 2025, vlera e eksporteve të mallrave nga Kosova arriti në 80,4 milionë euro, që paraqet një rritje prej 9,5% në krahasim me muajin qershor të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, importet u rritën me 16%, duke arritur vlerën 578,7 milionë euro.
Kjo rritje më e madhe e importeve krahasuar me eksportet është një faktor kyç që ka ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar.
Çfarë eksporton Kosova?
Struktura e eksporteve tregon dominim të disa grupeve kryesore të mallrave. Metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbëjnë 21,4% të totalit të eksporteve. Pas tyre renditen:
Ushqimet e përgatitura – 13,0%
Plastika dhe goma – 12,5%
Artikuj të ndryshëm të prodhuar – 9,8%
Produktet minerale – 6,7%
Pijet dhe duhani, e të tjera.
Importet – varësia nga mallrat e jashtme
Në anën tjetër, struktura e importeve dominon nga:
Produktet minerale – 14,0%
Makineritë dhe pajisjet elektrike/mekanike – 13,2%
Ushqimet, pijet dhe duhani – 13,0%
Mjetet e transportit – 12,3%
Metalet bazë – 8,6%
Këta sektorë tregojnë varësinë e lartë të tregut kosovar ndaj teknologjisë, energjisë dhe produkteve ushqimore nga jashtë.
Eksportet dhe importet sipas partnerëve tregtarë
Bashkimi Evropian
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 27,6 milionë euro, apo 34,4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,7%. Partnerët kryesorë në këtë kategori ishin:
Gjermania – 9,4%
Italia – 3,3%
Holanda – 3,2%
Nga ana tjetër, importet nga BE-ja ishin 249,6 milionë euro, që përfaqëson 43,1% të totalit të importeve, me një rritje prej 9,2%. Vendet me pjesëmarrje më të madhe për import ishin:
Gjermania – 14,2%
Polonia – 5,2%
Italia – 4,7%
Vendet e CEFTA-s
Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 36,9 milionë euro (45,9% e eksporteve), me një rritje prej 12,2%. Partnerët kryesorë për eksport në këtë grup ishin:
Shqipëria – 16,9%
Maqedonia e Veriut – 15,5%
Mali i Zi – 6,3%
Serbia – 5,7%
Ndërkohë, importet nga CEFTA ishin 82,7 milionë euro (14,3% e totalit), me një rritje të madhe prej 28,1%. Importet më të mëdha vinin nga:
Maqedonia e Veriut – 5,1%
Shqipëria – 4,8%
Serbia – 3,4%
Vendet e tjera të botës
Eksportet nga Kosova në vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s ishin 15,9 milionë euro, apo 19,8% e totalit. Partnerë të rëndësishëm në këtë kategori ishin:
Zvicra – 11,3%
Turqia – 2,9%
Ndërsa importet nga vendet e tjera arritën në 246,4 milionë euro, apo 42,6% të totalit, ku dominuan:
Kina – 13,1%
Turqia – 12,6%
Për më tepër, vërehet një rritje e lartë e importeve nga Serbia (3,4%), pavarësisht retorikës politike që shpesh nxit thirrje për bojkot të mallrave serbe. Kjo tregon se mungesa e alternativave në tregun vendor dhe paaftësia për të ndërtuar zinxhirë të qëndrueshëm prodhimi, e mbajnë ekonominë kosovare të varur nga importi, pa dallim të prejardhjes së mallrave.
Ekspertë të ekonomisë prej vitesh kanë paralajmëruar se mungesa e një strategjie serioze për zhvillimin e prodhimit vendor dhe përkrahjen e industrive të brendshme do ta zhysë Kosovën në një cikël të pafund të deficitit tregtar. Sipas tyre, edhe kur ka rritje të eksporteve, ajo është zakonisht në sektorë të paqëndrueshëm dhe të varur nga çmimet ndërkombëtare (si metali i hekurit ose skrapi), ndërsa importet janë të fokusuara në mallra të domosdoshme për konsum dhe teknologji bazike që Kosova nuk i prodhon dot.
Të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme nxjerrin në pah një fenomen të njohur se Kosova prodhon pak dhe importon shumë. Përkundër rritjes në eksport, dallimi mes asaj që vendi shet dhe asaj që blen nga jashtë po thellohet, duke rritur presionin mbi bilancin tregtar dhe mbi ekonominë në tërësi. Në mungesë të një strategjie të qëndrueshme për mbështetjen e prodhuesve vendorë, kjo pabarazi ka gjasa të thellohet edhe më tej në muajt në vijim.