Kompania “Elektroserver” ka deklaruar për mediumin “KoSSev” se rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, prej 16.1%, nuk ka efekt në katër komunat veriore të vendit.
Ata kanë thënë se nuk parashohin ndonjë shtrenjtim të energjisë për konsumatorët që furnizohen nga Elektroseveri.
“Informacioni se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë po rriten me 16.1 përqind nuk vlen për katër komunat veriore, pra për konsumatorët që ne furnizojmë me energji elektrike”,kanë thënë nga Elektrosever për KoSsev.
Nga ana tjetër, nga ZRrE thanë sot rritja e tarifave të energjisë elektrike 16.1 përqind “vlen për Furnizuesin me Shërbim Universal, që operon në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe këtë obligim të shërbimit universal e ka KESCO.”
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton opinionin publik se Bordi i ZRRE me datë 16.04.2025 ka aprovuar edhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit tëTransmetimit, Operimit të Sistemit dhe Operimit të Tregut, si dhe Tarifat për Shfrytëzimin e Sistemit të Shpërndarjes, të cilat tarifa janë të detyrueshme për të gjithë Furnizuesit e energjisë elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Furnizuesin e energjisë elektrike Elektrosever.”