Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të Kosovës nuk ka pësuar ndryshime të mëdha edhe pas marrjes së detyrës nga kryetarët e rinj të komunave në dhjetor të vitit të kaluar.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Elshani tha se aktualisht në veri janë 154 policë të komunitetit serb dhe se Policia e Kosovës vazhdon të funksionojë mbi të njëjtën bazë ligjore.
Ai theksoi se puna e policisë mbështetet në Ligjin për Policinë, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale dhe se institucionet e rendit do të vazhdojnë të zbatojnë ligjin e Republikës së Kosovës.
“Nuk ka ndryshuar shumë, për arsye se policia e ka ligjin në bazë të cilit punon. Ligjin për Policinë, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Ne vazhdojmë punën tonë. Ka pasur disa raste interesante, kur janë nxjerrë vendime që bien në kundërshtim me vendime të mëhershme, por këto çështje i vendos gjykata. Për shembull, punimet që janë duke u zhvilluar dhe që kanë marrë më herët pëlqim nga komunat nuk mund të ndalen, përveç nëse kjo vendoset nga gjykata. Në parim çdo gjë është e njëjtë. Ne jemi këtu për të respektuar ligjin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Duke folur për bashkëpunimin me autoritetet lokale, Elshani tha se komunikimi me kryetarët e komunave në veri është i rregullt dhe korrekt.
Sipas tij, komandantët e stacioneve policore takohen rregullisht me kryetarët e komunave dhe me zyrtarët komunalë për çështje që lidhen me sigurinë dhe funksionimin e përditshëm.
“Është një bashkëpunim i mirë. Komandantët e stacioneve takohen në baza të rregullta me kryetarët e komunave dhe me zyrtarët komunalë. Unë jam takuar me dy kryetarë komunash deri tani, atë të Mitrovicës së Veriut dhe të Leposaviqit. Komunikimi është shumë i mirë. Sa herë që kërkohet nga ana jonë të raportojmë, ne raportojmë. Çdo informacion që e ndajmë me dikë tjetër e ndajmë edhe me kryetarin e komunës. Flasim për çështje të sigurisë, aksidente në komunikacion, rregullat e trafikut, shenjat vertikale dhe horizontale, si dhe për gjendjen e rrugëve. Të gjitha këto i ndajmë me zyrtarët komunalë dhe më pas pajtohemi që kërkesat të dërgohen në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal apo në institucionet përkatëse që rrugët të rregullohen”, u shpreh ai.
Elshani bëri të ditur se përbërja etnike e policisë në veri ka ndryshuar dukshëm që nga viti 2023.
Ai kujtoi se kur kishte marrë detyrën në prill të vitit 2023 në veri kishte vetëm katër policë të komunitetit serb, ndërsa tani janë 154.
“Në fillim, kur kam ardhur këtu në prill të vitit 2023, i kemi pasur katër policë kosovarë të përkatësisë etnike serbe. Katër. Tani i kemi 154. Nëse llogarisim edhe komunitetet tjera romë, ashkali, turq, atëherë rreth 40 për qind janë shqiptarë dhe 60 për qind janë të komuniteteve tjera. Kjo është një situatë shumë e mirë. Pavarësisht situatës politike, në fillim rreth 500 policë të komunitetit serb kishin dhënë dorëheqje. Tani i kemi 154, por nesër mund të jenë edhe zero. Megjithatë kjo nuk është më e rëndësishmja; ne e bëjmë punën tonë dhe zbatojmë ligjin”, tha ai.
