Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau sot Çmimin për Demokraci 2024, Enver Kosumi, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në demokratizimin e shoqërisë kosovare, raporton Ekonomia Online.
Në vitin 2024, z. Kosumi, një aktivist i përkushtuar nga Ferizaj, i cili prej më shumë se dy dekadash është angazhuar për të drejtat dhe përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara, ishte forca kryesore shtytëse për themelimin e qendrës së parë për qëndrim ditor për persona me aftësi të kufizuara në Ferizaj, një arritje historike për komunën dhe një shembull frymëzimi për gjithë vendin.
Ai arriti të mobilizojë me sukses institucionet publike, qytetarët, diasporën dhe bizneset lokale, duke siguruar mbështetjen financiare dhe morale për ndërtimin e kësaj qendre jetike.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Dren Puka, drejtor ekzekutiv i KCSF-së ka theksuar se përmes Çmimit për Demokraci, synohet të jepet një mesazh i fortë dhe një jehonë publike për aktivizmin qytetar.
“Ka punë të palodhur. Ka angazhim të sinqertë. Ka iniciativa të shoqërisë civile që e prekin jetën e qytetarëve më thellë dhe më kuptimshëm sesa çdo vendim politik. Këto janë veprime që nuk kërkojnë pushtet, por vullnet. Nuk synojnë protagonizëm, por ndryshim. Dhe mbi të gjitha, frymëzojnë!”, ka shtuar ndër të tjera Puka.
Me këtë rast, ambasadori i Suedisë në Kosovë z.Jonas Westerlund, ka theksuar se zëri i personave me aftësi të kufizuara duhet të dëgjohet në forume të ndryshme dhe se qeveritë, shoqëria civile dhe kompanitë munden dhe duhen të punojnë së bashku për të përmirësuar mbrojtjen sociale në shoqëri.
“Jam i lumtur që po marr pjesë në Çmimin për Demokraci, të mbajtur në Ferizaj, ku po zhvillohen iniciativa të shkëlqyera për personat me aftësi të kufizuara. Nevojiten individë frymëzues për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe në botë”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Ndërkaq në fjalën e saj të rastit, udhëheqësja e Programit për Bashkëpunim në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë Beate Katja Elsässer, ka theksuar se ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të shoqërisë civile në kohë sfidash demokratike dhe polarizimi të thelluar, duke vënë në pah se qëndrueshmëria ka qenë çmimi që ajo ka paguar përballë këtyre presioneve.
“E gjithë kjo është edhe më e rëndësishme në një kohë kur prapakthimi demokratik dhe polarizimi nuk janë vetëm trende globale, por gjithashtu sfida shumë reale dhe të pranishme. Kostoja e shoqërisë sonë civile ka qenë qëndrueshmëria përballë këtyre presioneve. Megjithatë, shoqëria civile ka nevojë për ndihmë të mëtejshme për të përfshirë zëra të rinj, për të arritur te grupet e margjinalizuara dhe për të mbrojtur hapësirën qytetare. Çmimi i Demokracisë për këtë vit njeh një shembull të fuqishëm të udhëheqjes nga baza dhe veprimit qytetar gjithëpërfshirës. Fituesi i çmimit ka kaluar më shumë se dy dekada duke avokuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, një komunitet që shpesh mbetet në margjinat, jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga vetë shoqëria civile dhe sektori privat. Ajo që e bën këtë arritje edhe më domethënëse është fakti që është ndërtuar nga brenda”, tha ajo.
Laureati i Çmimit për Demokraci 2024, z.Enver Kosumi, potencoi se ky çmim është dëshmi se kur njerëzit bashkohen me qëllim të pastër dhe me zemër të madhe, ndryshimi ndodh dhe jo vetëm në letër, por sipas tij, në jetën e përditshme të atyre që më së shumti kanë nevojë.
“Çmimi për Demokraci që kemi marrë sot nuk është vetëm një trofe apo një njohje formale. Ky është një çmim që flet, flet për një rrugëtim të gjatë, të mbushur me sfida, sakrifica dhe ëndrra të mëdha. Ai mban brenda vetes zërin e çdo fëmije dhe të rrituri me aftësi të kufizuara që ka gjetur përkrahje në qendrën tonë, shpresën e çdo prindi që më në fund ndjehet i përfshirë, dhe përkushtimin e palëkundur të çdo anëtari të stafit që çdo ditë punon me zemër të hapur”, ka theksuar Kosumi.
Ky çmim tashmë tradicional ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave jo-qeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.
Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.





