Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka lansuar “EdTech Studios”, që ka për qëllim modernizimin e arsimit në Kosovë dhe përdorimin e teknologjisë më moderne në mësimdhënie, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, e cilësoj këtë projekt si një hap të rëndësishëm për arsimin në vend, duke theksuar rëndësinë e tij për përgatitjen e mësimdhënësve të rinj dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore vendore e ndërkombëtare.
Ajo shtoi se ky projekt ka një infrastrukturë me të gjitha kushtet për integrimin e teknologjisë në mësimdhënie, zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve, përgatitjen e materialeve digjitale dhe shumë gjëra të tjera.
“Është një projekt shumë i rëndësishëm edhe i mirëseardhur dhe jam e lumtur që po e promovojmë në ditën e mësuesit. Në këtë projekt që udhëhiqet nga Fakulteti i Edukimit në UP, por është një partneritet me MASHT, Universitet e rajonit dhe universitete të avancuara në BE, përfshirë ato të Finlandës dhe dy shtete të tjera të zhvilluara. Do të ofrojmë më shumë mundësi jo vetëm për përgatitjen e mësimdhënësve tanë të ardhshëm por edhe në bashkëpunim me shkollat dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë. Është një hap i cili ka një infrastrukturë dhe të gjitha kushtet për integrimin e teknologjisë ne mësimdhënie, zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve, përgatitjen e materialeve digjitale dhe shumë gjëra të tjera”, ka thënë ajo.
Dekani i Fakulteti i Edukimit, Blerim Saqipi, ka thënë se ky projekt përfaqëson më shumë se sa investim ne infrastrukture, teksa shton se me këtë iniciativë dëshmohet se ndryshimi në arsim në Kosovë është i mundur pavarësisht sfidave të financimit.
Ai shtoi se Fakulteti i Edukimit po e ridimensionon rolin e vet për të rritur cilësinë e mësuesve dhe për t’u përgjigjur nevojave të sistemit arsimor në vend.
“Ne sot po promovojmë më shumë se sa infrastrukturë, ne po përçojmë dy mesazhe. Mesazhi i parë është që se në Kosovë mund të implementohet ndryshimi, sa do e vështirë që është në rrethanat e financimit, kapaciteti dhe angazhimi i shoqërisë për arsim më të mirë, se arsimi në Kosovë nuk duhet të pajtohet e mjaftohet me gjenden aktuale. Mesazhi i dytë konsiston në faktin se këtu si institucion po e bëjmë ridimenzionimin tonë si Fakultet i Edukimit që në perspektiv do të jepe rezultate kundrejt kërkesës për mësues më cilësor”, u shpreh ai.
Lucia Parducci, nga Komisioni Evropian ka thënë se ky projekt është i financuar përmes Erasmus+ dhe se kryeqyteti i Kosovës është lider i këtij proejkti.
“Dua të uroj së pari për këtë projekt, i cili është një projekt shumë inovativ. Prishtina është liderja e këtij projekti, i cili është financuar përmes Erasmus+. Erasmus+ është një program që ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis universiteteve, si institucione, si studentë, si staf të universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë në përgjithësi. Ky është një nga programet më të suksesshme të Bashkimit Evropian, ndoshta edhe më i suksesshmi. Dhe kjo është një shembull i mirë se si inovacioni është i përfshirë në këtë program. Programet Erasmus Plus janë në fakt inovacione digjitale, ndryshimi i klimës, përfshirja dhe pjesëmarrja demokratike. Kështu që ky i përshtatet shumë mirë iniciativës për transformimin digjital. Jam gjithashtu mirënjohës që jam këtu sot, më 7 mars, i cili është Dita Kombëtare e Mësuesve në Kosovë”, ka thënë ajo.