Pas një jave me temperatura të larta deri në 35 gradë Celsius dhe mot kryesisht të qëndrueshëm e me diell, kjo javë pritet të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave në Kosovë.
Përjashtim nga moti i qëndrueshëm ka bërë vetëm zona e Hanit të Elezit dhe rrethinat e saj, ku përveç të nxehtit janë regjistruar edhe reshje shiu dhe lokalisht breshër.
E hëna do të nisë me mot të kthjellët dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen nga 13 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë mes 25 dhe 29 gradë Celsius.
Të martën parashihet mot i ngjashëm: me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, kurse ato maksimale do të shkojnë deri në 29 gradë. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-4 m/s.
E mërkura pritet të sjellë diell dhe vranësira të shpërndara. Në orët e pasdites në disa zona të kufizuara mund të ketë reshje shiu. Temperaturat do të jenë nga 11 deri në 15 gradë minimalet dhe 26 deri në 29 gradë maksimalet. Era do të jetë e lehtë dhe lokalisht e fortë nga veriperëndimi.
Të enjten do të mbajë mot me diell dhe pak vranësira. Temperaturat minimale do të jenë nga 11 deri në 13 gradë, kurse maksimalet sërish nga 26 deri në 29 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-4 m/s.
E premtja do të mbyllë javën me mot të ngjashëm – me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat do të luhaten nga 11-13 gradë në mëngjes dhe deri në 29 gradë gjatë ditës. Era do të jetë e lehtë nga drejtime të ndryshme.