Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në kuadër të bashkëpunimit me Ushtrinë e Republikës së Turqisë, ka zhvilluar një trajnim të përbashkët në fushën e Kërkim-Shpëtimit Urban, Kërkim-Shpëtimit në Terrene Malore dhe Operacioneve K9.
Përmes një postimi në Facebook, bëhet e ditur se trajnimi kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ekipeve dhe shkëmbimin e përvojave praktike në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Gjatë trajnimit u zhvilluan ushtrime teorike dhe praktike, duke përfshirë teknikat e kërkimit dhe shpëtimit në ndërtesa të dëmtuara, operacionet në terrene malore, përdorimin dhe angazhimin e qenve të kërkim-shpëtimit K9, si dhe procedurat e koordinimit dhe reagimit në situata emergjente”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ky trajnim ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe gatishmërisë operacionale të ekipeve, si dhe në forcimin e ndërveprueshmërisë me partnerët në fushën e kërkim-shpëtimit.

