Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schübel.
Sipas njoftimit të LDK-së, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e konstituimit dhe funksionalizimit të institucioneve, si dhe për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e konstituimit dhe funksionalizimit të institucioneve, si dhe për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës. Kryetari Abdixhiku theksoi përkushtimin e LDK-së për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe garantimin e funksionalitetit të institucioneve demokratike dhe stabilitetit institucional. Po ashtu kryetari Abdixhiku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe e mbështetjes së vazhdueshme të BE-së për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës”.
