Një gjykatë federale e ka urdhëruar Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) që të ndajë fondet për muajin prill për Radion Evropa e Lirë nga buxheti që Kongresi ka miratuar për transmetuesin.
Gjykatësi Royce Lamberth, e miratoi urdhrin e përkohshëm më 29 prill, duke shkruar se ishte Kongresi amerikan ai që “vendosi që fondet në fjalë duhet t’i ndaheshin REL-it” dhe se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte nënshkruar rezolutën buxhetore ku ndaheshin ato fonde.
“Vendimi i sotëm që urdhëron USAGM-in të ndajë fondet mujore nga buxheti vjetor që Kongresi i ka ndarë REL-it nënkupton që gazetarët tanë mund të vazhdojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjës diktatorët dhe despotët”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, pas vendimit.
“Shpresojmë që të marrim shpejt fondet e vonuara për muajin prill sepse REL-i është detyruar që këtë muaj të dërgojë punëtorë në pushim administrativ dhe të shkurtojë programet në rajonet që janë kyç për sigurinë kombëtare amerikane”.
USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë.
Disa orë pas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 14 mars që kërkoi tkurrjen e shtatë agjencive – përfshirë USAGM-in – “në masën maksimale që lejon ligji në fuqi”, agjencia pretendoi se kishte ndërprerë fondet që Kongresi kishte ndarë për REL-in për vitin fiskal 2025, i cili përfundon më 30 shtator.
Radio Evropa e Lirë e cilësoi këtë vendim si të paligjshëm dhe nisi procedura ligjore kundër USAGM-it.
Më 25 mars, e njëjta gjykatë në SHBA pranoi kërkesën e REL-it për një urdhër të përkohshëm ndalimi (TRO), duke vendosur se USAGM-i kishte vepruar “në mënyrë arbitrare dhe kapriçioze” duke ndërprerë grantin e REL-it.
Një ditë më vonë, USAGM-i i shkroi REL-it, duke thënë se po e anulonte vendimin, por se ky veprim nuk ndikonte në të drejtën e USAGM-it për të ndërprerë grantin në të ardhmen.
REL-i u detyrua të kërkonte edhe një urdhër tjetër të përkohshëm ndalimi në prill, pasi fondet për atë muaj nuk iu alokuan. Transmetuesi gjithashtu po vazhdon të kërkojë një vendim gjyqësor për të siguruar lëshimin e pjesës tjetër të parave që i takojnë nga granti për vitin fiskal 2025.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim çështjen në gjykatë dhe mezi presim që të punojmë me USAGM-in për t’u siguruar që do të paguhemi për pjesën e mbetur të vitit fiskal”, tha Capus.
REL-i arrin pothuajse 50 milionë njerëz në vende si Bjellorusia, Kina, Irani dhe Rusia, duke synuar të ofrojë lajme dhe informata të pavarura dhe të paanshme për 23 vendet ku transmeton në 27 gjuhë.
Mbrojtësit e të drejtave të medias e kanë quajtur vendimin për të zhbërë USAGM-in si “të papranueshëm”, duke thënë se i jep një fitore regjimeve autoritare në mbarë botën.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve paralajmëroi më 1 prill se ky veprim gjithashtu vë në rrezik shumë gazetarë që kanë punuar për transmetues si REL-i.
“Gazetarët e lidhur me USAGM-in përballen me kërcënime serioze, burgosje dhe persekutim në vendet e tyre për shkak të raportimeve mbi çështje politike të ndjeshme”, thuhej në një letër të nënshkruar gjithashtu nga PEN America, Reporterët pa Kufij dhe organizata të tjera, të cilat i bënin thirrje Kongresit amerikan që të ndërmarrë “veprime të menjëhershme” për t’i mbrojtur gazetarët që kanë punuar për media të financuara publikisht.
Kërkesa totale për buxhetin e USAGM-it për vitin fiskal 2025 ishte 950 milionë dollarë, për të financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.
Kjo përfshin media si REL-i, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Transmetimeve për Kubën (Radio Marti), Rrjetet e Transmetimit për Lindjen e Mesme (MBN) dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur./REL/