Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza të forta ndaj Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se nëse VV nuk arrin të formojë shumicën, atëherë radha për të krijuar Qeverinë i takon opozitës, sipas Kushtetutës.
“Ata e kanë të drejtën me provu të krijojnë shumicën, por nëse s’munden, vjen radha e të tjerëve. Ashtu është Kushtetuta e vendit. S’mund të bëhen vetë Kushtetuta”, u shpreh Haradinaj, duke paralajmëruar se AAK është gati të marrë përgjegjësinë pa vonesa.
Ndërsa ka komentuar sloganin e VV-së “Qeveri e Vetëvendosjes ose zgjedhje”, Haradinaj tha se kjo është vetëm shenjë e dobësisë së tyre.
“Fillimisht flisnin për 500 mijë vota. Sot kanë 10 deputetë më pak. Menduan që krejt do vrapojnë pas tyre – por s’është ashtu. Kërcënimi me zgjedhje është paaftësi për të krijuar shumicë, jo fuqi”, theksoi ai.
Por goditjen më të rëndë Haradinaj e rezervoi për fund, kur e akuzoi direkt Kurtin se është bërë agjent i Serbisë dhe Rusisë.
“Kurti është agjent i Serbisë dhe i Rusisë – ka zbatuar agjendat e tyre për katër vite. Ai e ka rrit fuqinë e Serbisë në Kosovë më shumë se kushdo tjetër. Pas katër vitesh qeverisje me mandat të plotë, ai sot po na thotë që Serbia paska ndikim te deputetët jo-serbë. Kjo është pasojë e dështimeve të tij”, ka potencuar ai.
Haradinaj tha se AAK është për zgjedhje, nëse zgjidhja është “ose Kurti, ose zgjedhjet”, por insiston që ekziston alternativë kushtetuese dhe nuk ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje nëse VV dështon.