Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 3 prillin e vitit 1999, ditën kur në Kralan të Gjakovës, forcat e regjimit të Millosheviqit masakruan 86 shqiptarë të pafajshëm, shumica të rinj, ndërsa 11 prej tyre ishin të mitur.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkroi se liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre dhe se duhet ta ruajmë dhe ta çmojmë, duke kujtuar gjithmonë të rënët.
“Po atë ditë, me pushkën e lirisë në dorë, ra heroikisht bashkëluftëtari Arton Mehmetaj, dëshmori i tretë nga familja heroike Mehmetaj e Gllogjanit. Përkrah tij, deri në frymën e fundit, ra edhe Halit Coka nga Kukësi. Kujtojmë me nderim bashkëluftëtarët: Visar Myftari, Fehmi Shala, Kujtim Qallakaj, Ilir Hoxha, Mustafë Çekaj, si dhe gjithë dëshmorët e rënë në fillimin e prillit 1999.
Liria erdhi me çmimin e gjakut të tyre. Ta ruajmë e ta çmojmë, bashkë me kujtimin për të rënët. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike”, tha i pari i AAK-së.
