Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se pas katër vitesh në opozitë, rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit për ta nuk është i kënaqshëm.
I pyetur se cila është përgjegjësia e lidershipit të partisë për rezultatin, Hoti tha se ajo [përgjegjësia] nis nga zyrtari i parë i LDK-së në kontakt me qytetarë e deri te kreu i partisë, për të cilin tha se është përgjegjësi kryesor.
“Në çdo garë politike, përgjegjësia për rezultatin zgjedhor nis nga zyrtari i parë i LDK-së në kontakt me qytetarë, që është anëtari i Kryesisë së Nëndegës në lagje të qyteteve e në fshatra, e përfundon tek Kryetari i LDK-së si përgjegjësi kryesor”.
“Ne i kemi dhënë autorizime të plota Kryetarit të LDK-së për të organizuar partinë që nga viti 2021 e këndej. I kemi dhënë besimin dhe mbështetjen e plotë për vendimet e tij në funksion të përgatitjeve për këto zgjedhje. Kur jepet besimi i plotë, kërkohet edhe përgjegjësi e plotë”.
“Rezultati zgjedhor na ka treguar se ndryshimet që bëmë në LDK në 2021, pastaj zgjedhjet partiake në 2023, opozita 4-vjeçare në Kuvendin e Kosovës, si dhe programi e fushata zgjedhore e këtij viti nuk i kanë bindur qytetarët të na kthejnë besimi. Ne tani e ndjejmë përgjegjësinë për këtë rezultat zgjedhor, dhe natyrshëm kërkojmë debat veprim, siç kemi vepruar edhe në vitin 2021”.
“Deklarimi që kam bërë para disa jave ka pasur këtë qëllim – reflektim dhe dakordim i përbashkët për rrugën përpara të LDK-së. Kemi diskutuar në Kryesi të LDK-së, kemi takuar aktivistë të shumtë që janë të dëshpëruar me rezultatin dhe të dëshpëruar me disa vendime që kemi marrë”, tha Hoti.
Më tej, Hoti ka folur edhe për çështjen e votave me postë nga diaspora, ku tha se vërhen dy fenomene, e që sipas tij, “disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar joproporcionalisht krahasuar me votat e tyre në Kosovë”.
“Nga analiza e shpërndarjes së votave nga votimi në Kosovë dhe votimi në diasporë vërehen dy fenomene. I pari, votat për LVV-në nga votimi në ambasada e konsullata janë tepër joproporcionale krahasuar votat që ky subjekt ka marrë nga votimi në Kosovë”.
“I dyti, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar joproporcionalisht krahasuar me votat e tyre nga votimi në Kosovë. Në të dy rastet, shpërputhjet nuk janë të natyrshme. Vlerësoj se është krijuar pasiguri në procesin zgjedhor, me pasoja edhe për të ardhmen”, tha Hoti.