Sadik Zeqiri, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, ka reaguar ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të organizuar nga Shkëlzen Gashi.
Ai rrëfeu përjetimet në burg dhe tha se forcat serbe “i kanë vrarë ku i kanë zënë” dhe nuk e di se ku është bazuar Gashi për pretendimet e tij se ata kanë qenë të armatosur.
“Gjatë Masakrës, 19-24 mars, që autori e ka ba 19-23 maj, neve të gjithëve na kanë rreshtu ose na kanë gjujtë me na vra aty ku kanë mujtë edhe ku na kanë gjetë, edhe ku na kanë nxanë, ndërsa se ku është bazu Shkëlzen Gashi në atë që thuhet se 48 të burgosur të vrarë kanë qenë të armatosur, unë nuk e di, por unë e di që ne të gjithë kemi qenë të paarmatosur dhe pothuajse të gjithë kemi qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por të burgosur”, ka deklaruar ish i burgosuri.
Madje, Zeqiri tha se aty nuk kanë pasur lugë alumini e lëre më armë siç pretendohet në përmbajtjen e ekspozitës.
“Kur thuhet kanë qenë të burgosur të armatosur, i bie që ne kemi pasë armë dhe jemi ballafaqu me gardianë, me policë edhe me ushtarë serbë, e që i bie që ne kemi qenë në luftë frontale me palën serbe. E ka harru Shkëlzen Gashi dhe ato organizatat joqeveritare që kanë marrë fonde dhe e kanë organizu këtë ekspozitë që në Burgun e Dubravës ne si të burgosur nuk kemi pasur as lugë të aluminit, nuk kemi pasur gati se as lidhëse të këpucëve e lëre më armatim”, ka thënë tutje Zeqiri.
