Kryetari i LVV-së Albin Kurti, dhe kryeministri në detyrë, derisa po fliste sot para fillimi të seancës së 34’të i ka quajtur deputetët e ish-opozitës “nomadikë”, të cilët s’po pranojnë të shkohet me votim të fshehtë për votimin e kryeparlamentarit. Sipas Kurtit ata nuk po duan të kenë shtëpi.
Deputetja dhe Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një përgjigjie për Periskopin, i ka reaguar Albin Kurtit i cili i ka cilësuar deputetët e ish-opozitës “nomadë” të cilët nuk po duan të kenë shtëpi.
Çitaku ka thënë se deputetët e opozitës janë në vendin dhe shtëpinë e tyre, derisa ia bëri me dije Kurtit se demokracia nuk ndërtohet mbi fyerje, por mbi respekt, dialog dhe barazi.
“…Ne jemi në vendin tonë, në shtëpinë tonë. Dhe nuk kemi ndërmend të lëvizim, as nga Kosova, e as nga parimet tona. Sepse Kosova është shtëpia e të gjithëve. Dhe demokracia nuk ndërtohet mbi fyerje, por mbi respekt, dialog dhe barazi.”, ka thënë ajo.
Çitaku tha se Kurti sot e vazhdoi traditën e tij të fyerjeve dhe përçmimit ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohet apo mendon ndryshe nga ai.
“Albin Kurti sot e vazhdoi, ashtu siç ka bërë vazhdimisht, traditën e tij të fyerjeve dhe përçmimit ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohet apo guxon të mendojë ndryshe nga ai. Gjuha e tij polarizuese, fyese dhe përçmuese është simptomë e një mendësie të rrezikshme, përjashtuese dhe totalitare…”, tha Çitaku.
Sipas saj kjo nuk është rrëshqitje e momentit, por qasje e qëllimshme për të delegjitimuar çdo zë ndryshe dhe për të instaluar frikën si mjet politik.
“Kjo nuk është as rastësi e as rrëshqitje momentale, por një qasje e qëllimshme për të delegjitimuar çdo zë ndryshe dhe për të instaluar frikën si mjet politik…”, tha deputetja e PDK’së.
Kujtojmë se Kurti i kishte quajtur partitë opozitare edhe si “hajvana”, në orët e para të 10 shkurtit pasi kishte marrë vesh se ka dalë parti e parë.