Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti është akuzuar nga opozita se po mbron ndërtimin e një penthouse-i mbi 400 m² në qendër të qytetit, i cili sipas tyre po ndërtohet pa leje dhe në kundërshtim me planin urbanistik. PDK në Lipjan pretendon se kompania City Invest Group, që sipas tyre ka lidhje shoqërore me familjen e Ahmetit, po favorizohet nga pushteti. Nga komuna për Insajderin kanë mohuar një gjë të tillë, duke e cilësuar si shpifje me motive politike, ndërsa kryetari Imri Ahmeti thotë se nuk ka asnjë lidhje me pronarin e kompanisë. E pronari i City Invest Group nuk është përgjigjur.
Partia Demokratike e Kosovës dega Lipjan, ka hedhur disa akuza rreth një ndërtimi në këtë komunë.
Sipas pretendimeve të opozitës, kompania ndërtimore City Invest Group me pronar Edlir Vehapin, është duke ndërtuar një penthouse mbi 400 metra katrorë në qendër, pa leje ndërtimore, dhe në kundërshtim me kushtet zhvillimore të përcaktuara në hartat zonale të komunës.
“Ndërtim pa leje, lidhje familjare dhe heshtje institucionale: Lipjani si pronë private?! Në Lipjan, ndërtimi pa leje ka marrë një dimension të ri: tash ndërtohet jo vetëm pa leje, por edhe me bekimin e heshtur të institucioneve! Sipas burimeve nga terreni, kompania ndërtimore City Invest Group Sh.P.K, e cila ka lidhje të ngushta shoqërore me djalin e kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, është duke ndërtuar një penthaus prej mbi 400 metra katror në zemër të qytetit të Lipjanit, në kundërshtim me kushtet zhvillimore të përcaktuara në hartat zonale të komunës”, thuhet në reagimin e tyre.
Nga kjo parti kanë kërkuar hetim nga Prokuroria e Inspektorati.
“Kërkojmë: Hetim të menjëhershëm nga Inspektorati i Ndërtimit dhe Prokuroria; transmetim publik të lejeve ndërtimore të lëshuara në vitet e fundit; dorëheqje morale dhe politike nëse konfirmohen shkeljet”.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me komunën e Lipjanit, lidhur me këto akuza e pretendime. Nga komuna kanë mohuar një gjë të tillë.
Sipas tyre leja i është lëshuar në përputhje të plotë me hartën zonale dhe dokumentet tjera planore.
“Bëhet fjalë vetëm për akuza e shpifje për nevoja të konsumit politik paraelektoral. Leja është lëshuar në përputhje të plot me Harten Zonale dhe dokumentet tjera planore”.
Komuna është përgjigjur edhe rreth pretendimeve se pronari i kompanisë City Invest, Edlir Vehapi ka lidhje shoqërore me djalin e kryetarit Imri Ahmetit.
“Gjithashtu sa i përket njohjes së Edlir Vehapit, sipas deklarimit të kryetarit as nuk e njeh as nuk e di kush është Edlir Vehapi. Janë shpifje që qëllim kanë përgatitjen e terenit për fushatë elektorale”.
Gazeta Insajderi ka tentuar ta kontaktojë edhe pronarin e kompanisë së ndërtimit City Invest Group, Edlir Vehapin, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka arritur të marrë përgjigje.