Komuna e Skenderajt ka miratuar Deklaratën “Jo në emrin tim”, përmes së cilës kundërshtohet aktgjykimi dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë për liri.
“Faleminderit të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal të Skenderajt për mbështetjen njëzëri të propozimit tim për miratimin e Deklaratës ‘JO NË EMRIN TIM’, përmes së cilës shprehim mospajtimin me aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, solidariteti me familjet e tyre dhe ritheksohet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka thënë se votimi në Kuvendin Komunal është dëshmi se të gjithë qytetarët e Kosovës kundërshtojnë Gjykatën Speciale.
“Ky votim i njëzëshëm është një dëshmi e qëndrimit të përbashkët të Kuvendit dhe qytetarëve të Skenderajt: ‘JO NË EMRIN TIM!’ Mirënjohje për secilin anëtar që e mbështeti këtë deklaratë!”, ka shkruar Lushtaku.
