Kushtrim Ramadani, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Prishtinë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike, të llojit kokainë.
Arrestimi i tij ka ndodhur gjatë një operacioni për hetimin e narkotikëve të enjten.
Ai është arrestuar gjatë bastisjeve në një lokal të ushqimit të shpejtë (fast-food) në rrugën “Andrea Gropa”, pas dyshimeve se pronari merrej me aktivitet të kundërligjshëm.
Organet e rendit gjatë aksionit në këtë lokal, kanë sekuestruar tri qese me substancë të dyshuar kokainë, me peshë rreth 4 gramë, një peshore digjitale, 240 qese të zbrazëta, që dyshohet se shërbenin për paketim, një revole Zastava, një karikator me 3 fishekë, kalibër 25 Auto PPU, 1300 euro para të gatshme, dy telefona mobilë.
Në listën e Vetëvendosjes për Asamblenë Komunale të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit, Ramadani mbante numrin 38.
Ky nuk është i vetmi aktivist i Vetëvendosjes që arrestohet për veprimtari të kundërligjshëm me drogë. Besnik Mujeci, një aktivist i zëshëm i VV-së në Prishtinë, në vitin 2023 ishte arrestuar në Shqipëri për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Po ashtu, më 24 gusht 2025, ishte arrestuar edhe Rinas Zeqiri, kandidat i VV-së për asamblist në Komunën e Novobërdës. Ai ishte arrestuar gjatë një aksioni të policisë në fshatin Zhegovc të Gjilanit, ku ishte zbuluar një parcelë me 500 bimë kanabis sativa.
