Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhërarrest në Deçan, i cili ishte dënuar me katër vjet burgim për vepra penale.
Sipas Policisë, më 3 tetor 2026, zyrtarët e Stacionit Policor në Deçan, pas pranimit të informatës për vendndodhjen e personit të kërkuar, kanë ndërmarrë veprimet operative dhe rreth orës 11:15, në rrugën “Fatmir Nimonaj”, kanë lokalizuar dhe arrestuar Xh. Th.
I njëjti kërkohej për veprat penale “Vjedhje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Gjatë arrestimit, personi ka bërë rezistencë dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por zyrtarët policorë kanë arritur ta vënë nën kontroll.
Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Deçan, ndërsa janë ndërmarrë procedurat e nevojshme për dorëzimin e tij tek institucionet përkatëse, për ekzekutimin e dënimit prej katër vjetësh burgim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe realizimin e urdhërarresteve.
