Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur ta largojë Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë të premten, më 2 tetor, në një takim të jashtëzakonshëm të KPK-së, nën udhëheqjen e kryesuesit Arian Gashi.
Sipas KPK-së, Isufaj do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale, ndërsa në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit është caktuar prokurori Dren Paca.
KPK ka bërë të ditura edhe arsyet që, sipas tij, kanë çuar në largimin e Isufajt nga drejtimi i Prokurorisë Speciale.
KPK vlerëson se në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, janë evidentuar dhe konstatuar, ndër të tjera, këto rrethana:
keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës;
jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit;
dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit;
mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës, e konstatuar përmes vlerësimit të performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.
Gjithashtu, KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas vlerësimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, Këshilli Prokurorial vlerëson me shqetësim të veçantë gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale. Mënyra e menaxhimit të kësaj Prokurorie, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale, duke krijuar një situatë që kërkon ndërhyrje të përgjegjshme, institucionale dhe të menjëhershme.
Për KPK-në, drejtimi i një institucioni të tillë nuk mund të reduktohet në ushtrimin formal të kompetencave administrative. Kryeprokurori bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit që drejton, në përputhje me ligjin, standardet profesionale dhe detyrimin kushtetues për funksionimin efikas të sistemit prokurorial.
Në këtë kuptim, KPK konsideron se përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia nuk janë çështje diskrecionale, por kërkesa të domosdoshme për funksionimin e një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe efikas.
Andaj, KPK u garanton qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale dhe përmirësimin e rezultateve të Prokurorisë Speciale.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet forcimit të kapaciteteve dhe rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që operojnë përtej kufijve shtetërorë.
KPK vlerëson se përballja me këto forma të kriminalitetit kërkon prokurori profesionale, efikase, të mirëmenaxhuara dhe të afta për të vepruar në mënyrë të koordinuar me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor.
Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar ndaj pavarësisë, profesionalizmit, integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit të sistemit prokurorial dhe do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e tij ligjore për të garantuar që institucionet prokuroriale të përmbushin në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive misionin e tyre kushtetues dhe ligjor.
Efikasiteti i Prokurorisë Speciale nuk është çështje e brendshme e një institucioni. Ai është pjesë e drejtpërdrejtë e funksionimit të sundimit të ligjit, mbrojtjes së interesit publik dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
