DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet2025
No Result
View All Result
DTV MEDIA
No Result
View All Result

Kërkohet një orë e më parë zhbllokimi institucional

28 Maj 2025
A A
Kërkohet një orë e më parë zhbllokimi institucional
Share on FacebookShare on Twitter

Në kuadër të konferencës “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike, u mbajt një panel ku u diskutua ngërçi aktual politik në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe bllokimi i procesit të normalizimit me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të partive politike dhe ambasadorë theksuan nevojën për veprim të menjëhershëm, zhbllokim institucional dhe respektim të angazhimeve ndërkombëtare.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se veprimet e pakoordinuara dhe ngërçi institucional jo vetëm që dëmtojnë imazhin e vendit, por po sjellin kosto të drejtpërdrejta ekonomike dhe politike.

“Mos shikoni fqinjët tuaj, bëni detyrat e shtëpisë. Dhe mendoj se ndonjëherë kemi nevojë edhe për një qasje të ndryshme.
U përmend fondi për rritje, marrëveshjet nuk mund të ratifikohen, agjenda e rritjes, dialogu aktualisht është në ngërç.

Veprimet e pakoordinuara do ta pengojnë më tej heqjen e masave. Dhe kjo kushton para. E bën gjithashtu publikun të ndihet i frustruar politikisht. Dua të them: nesër kemi seancën e 23-të për të provuar të zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Çfarë imazhi jep kjo për ne? Nuk dua të zgjatem më tej për këtë.

Gjithashtu, shoh që Serbia tashmë ka aplikuar që në vitin 2014. Ka një çmim për mosveprim edhe për Serbinë. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Dhe ne as që kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim.

Prandaj, apeli im sërish është: bëni detyrat e shtëpisë, tregoni, përdorni këtë dritare mundësie – është aty. Dhe mendoj se të gjithë këta persona që përmenda e kanë dhënë mesazhin për palët e interesit, qoftë në Beograd apo këtu: bëjeni, sepse vetëm atëherë mund të ecim përpara.

Dhe ky do të ishte këshilla ime e thjeshtë. Filloni me formimin e institucioneve”, tha ambasadori Rohde.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se Kosova nuk është e izoluar, por mund të vetëizolohet, nëse vijon të injorojë miqtë ndërkombëtarë dhe të mos respektojë zotimet që ka marrë.

“Mesazhi i parë është: Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse izolohet vetë. Ju nuk jeni të izoluar.
Ne, pesëshja (Quint), vendet e tjera të BE-së kemi qenë duke e mbështetur Kosovën për vite me radhë. Së fundmi, e rilexova sërish këshillën tonë juridike për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2009, ku shpjegohej pse Franca e mbështeti Kosovën në vitin 1999, në vitin 2008.

Dhe mbështetja jonë është ende këtu. Mbështetja gjermane është ende këtu. Ju nuk jeni të izoluar.

Dhe Kosova nuk është një ishull. Ajo ndodhet në mes të një rajoni që vetë është pjesë e kontinentit.

Pra, ju nuk jeni të izoluar, përveç nëse izoloheni vetë. Si izoloheni vetë? Duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar vetëmjaftueshmëri morale, duke gjetur të gjitha arsyet e mundshme për të mos respektuar angazhimet e mëparshme. Prandaj, lutja, ashtu dëgjoni miqtë tuaj”, tha ai.

Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, theksoi mbështetjen e popullit për integrimin evropian dhe vuri në pah përpjekjet institucionale.

Ai përmendi se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022 dhe theksoi përmbushjen e kritereve sipas agjendës së reformës evropiane.

“Pajtohem me referencën që 90 për qind e popullit të Kosovës përkrahin anëtarësimin në BE. Kjo është indikacion që e kemi zgjedhur Evropën. Ajo çfarë mbetet është që edhe Evropa në mënyrë pa ekuivoke të na zgjedhë ne.

Sa i përket statusit institucional, Kosova ka bërë një aplikim për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Në lidhje me hapat që dalin nga Plani i Rritjes, por edhe agjenda e reformës evropiane vitin e kaluar, po edhe vitet pasuese Kosova shquhet për përmbushjen e kritereve që dalin nga kjo agjendë”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, u shpreh skeptik ndaj qasjes së BE-së ndaj Ballkanit, veçanërisht ndaj Kosovës.

Ai vuri në pikëpyetje seriozitetin e Brukselit për të marrë parasysh kërkesën e Kosovës për status kandidati.

“Duhet të kemi një qasje reale se si ta kalojmë këtë situatë politike të cilën jemi. Unë kam pritur që lufta në Ukrainë dhe agresioni i Putinit do ta zgjojë gjeopolitikisht Evropën. Por nuk po shoh një Evropë gjeopolitikisht të zgjuar në Ballkan, sikurse nuk po shoh edhe politikë konkrete të zgjerimit.

Shumë probleme që kemi në rajon edhe dialogu Kosovë-Serbi, kanë të bëjnë me atë që zgjerimi ka mbetur një retorikë e cila shpesh forcohet edhe shpesh zbutet, por në fakt nuk ka asnjë hap konkret sa i takon zgjerimit, e kam fjalën për Kosovën.

BE nëse nuk është në gjendje që për dy vite ta trajtojë kërkesën e Kosovës për statusin e kandidatit, nuk kam parë një BE e cila e ka trajtuar një vend ballkanik në këto 20 vitet e fundit kur dikush aplikon dhe fare nuk merret në konsideratë, nuk kthehet përgjigje. Kjo shtron pyetjen për atë se sa seriozisht është edhe qasja e BE-së për zgjerim. Por ne duhet t’i bëjmë punët tona të interesit bazik”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, e zhvendosi fokusin te problemet e brendshme dhe mungesa e vullnetit politik për reforma.

Ajo theksoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve dhe respektimin e ndarjes së pushteteve.

“Brenda në Kosovë ka pasur një dallim të madh në mes të qeverisjes për sa i përket seriozitetit për BE. Këtu ka dallim se a është vetëm retorikë apo veprim konkret. Dialogu është shumë i rëndësishëm, këtu edhe dialogu me BE por edhe te pastaj ajo çka prezantojmë te BE-ja. Këtu vjen te dialogu i brendshëm.

Në Kosovë, nëse dëshirojmë që të tregojmë që jemi seriozë në rrugën e integrimit, duhet t’i plotësojmë kriteret që kanë të bëjnë me parimet demokratike. E që ka të bëjë me funksionim demokratik të institucioneve.

Këtu duhet folur edhe për krizën që është në Parlament e që ka të bëjë me vetëdijen e partive politike për sa i përket ndarjes së pushteteve. Nuk mund të jesh në pushtet dhe të komentosh raste gjyqësore.

Nuk mund të jesh në pushtet dhe të bësh thirrje publike formale për dialog, nëse dialogu nuk është i menduar si i tillë, i aplikuar për gjatë gjithë kohës edhe nëse nuk është lënë hapësirë për partneritet në mes aktorëve politikë.

Dialogu nuk është vetëm formalitet e as procedurë, është më shumë përmbajtje, konsistencë edhe është vërtet i mbështetur në argumente edhe i vërtetë me esencë. Këto janë vlerat demokratike që BE edhe i ka promovuar, por që ne duhet të mësohemi.

Edhe ky ngërç politik të sjell rezultate e mundësi për partitë politike që retorikat edhe propaganda nuk i kontribuojnë një dialogimi të vërtetë brenda shtetit. Më vjen keq që krejt kjo krizë edhe e dëmton procesin e integrimit, i ndalon, i stagnon shumë procese të tjera”, tha ajo.

Ish-zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri nga AAK-ja, theksoi se situata aktuale nuk po prodhon zgjidhje, por mund të shfrytëzohet si justifikim për marrëveshje të vonuara politike.

Ai vlerësoi se problemi nuk do të zgjidhet në fushën juridike dhe kërkoi qasje të qartë politike.

“Fillimisht Gjykata Kushtetuese me kërkesën tonë që jemi munduar që të zgjedhim një çështje, nuk besoj që do të japë ndonjë përgjigje të saktë. Për shkak se rasti është i tillë.

E dyta, ne gjithë e dimë që duhet me dërguar presidentja, se nuk e tërheq Kurti kandidaten e vetë se po i thotë opozita. Nëse dëshirojmë në këtë interpretim juridik, duhet të bëjmë pyetjen kush po fiton nga kjo situatë.

Në qoftë se mendojmë për pushtet, është kryeministri, ministrat në zyre. Në qoftë se mendoj se do të ndodhë një qeveri më e madhe me numra më të mëdhenj dhe kjo bllokadë do të jetë justifikim që pas zgjedhjeve apo 5-6 muajve me thënë që për hir të Kosovës, parimeve, u bashkuam që të bëjmë presidenten, bëjeni me një herë ose të shkojmë në zgjedhje menjëherë. Situata aktuale duhet të analizohet se kush përfiton.

Unë këtu nuk po shoh ndonjë përfitues direkt, po shoh përfitues potencial pas disa muajve nëse bëhet një qeveri, por kjo nuk është loja. Për shkak se në fushën juridike na duhet një instancë që të zgjidhet kjo çështje. Nuk zgjidhet kjo me marrëveshje politike, nuk e largon ai kandidaten. Nëse opozita ka qëllim, atëherë duhet të dalë te loja politike”, tha ai.

KATEGORITË

  • Botë (1 076)
  • Drejtësi (1)
  • Ekonomi (1)
  • Konkurs (2)
  • Lajme (8 844)
  • Mish Mash (1)
  • Mish Mash (1)
  • Opinione (10)
  • rajon (2)
  • Showbiz (66)
  • Sport (133)
  • TV (54)
  • Vendore (80)
  • Zgjedhjet 2025 (435)
  • Rreth nesh
  • Reklama
  • Privatësia dhe Politika
  • Contact

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
  • Sport
  • Showbiz
  • Botë
  • Opinione
  • TV
  • Mish Mash
  • Konkurs
  • Zgjedhjet

DTV MEDIA © 2025 Të gjithat e drejtat e rezervuara. | Developed by: Nestcheap.com