Drejtuesit e koalicionit për Familjen, Eman Rrahmani, Selim Pacolli, Ferid Agani dhe Fatmir Smajli, u takuan sot me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Fatmir Sopi.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen veteranët, duke përfshirë përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore, si dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.
” Liderët e koalicionit theksuan angazhimin e tyre të fortë për mbështetje konkrete dhe intensivimin e dialogut me qëllim që të zgjidhen problemet që prekin kategoritë e dala nga lufta”.
“Ata u shprehën të vendosur për të punuar së bashku për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për ish-luftëtarët, duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe duke ruajtur nderin dhe dinjitetin e tyre”, thuhet në njoftim.
Tutje, shtohet se ky takim është një “hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe veteranëve, me qëllim krijimin e mundësive të reja për përmirësimin e jetës së tyre dhe të ardhmes së vendit”.
