Komuna e Gjilanit ka thuajse çdo javë nga një problem me drejtorët e drejtoreshave të komunës.
Përpos dorëheqjeve e largimeve të shumta që janë bërë nga këto pozita, tanimë një problem tjetër i doli njërës prej drejtoreshave në kuadër të kësaj komune.
Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Entela Hysenit, drejtoreshë e Inspeksionit në Gjilan.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zyra për informim e Prokurorisë së Gjilanit.
E njëjta dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, më datë 10.03.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.K., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, më datë 18.03.2025 është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës E.H., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së”, thuhet në përgjigje.
Në lidhje me këtë rast nga Prokuroria nuk janë dhënë detaje shtesë.
E njëra prej drejtoreshave në Komunën e Gjilanit javën që shkoi njoftoi për dorëheqje.
Ajo dha dorëheqje për shkak se dikush ishte future brenda zyrës së saj në Gjilan, derisa ajo nuk gjendej aty.
E një dorëheqje tjetër ishte bërë edhe nga Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit.
Pakënaqësitë e shumta në kuadër të drejtimit të kësaj komune kanë bërë që reagime të shumta e të shpeshta të ketë edhe në drejtim të kryetarit të komunës, Alban Hyseni.
Kritika ndaj tij u bën edhe për faktin e nepotizmit që po ndodhë në komunë. Ai madje kishte pranuar hapur punësimin e disa miqve e familjarëve- një ndër to edhe kunatën.

